Raportohet për dhjetëra të vrarë të martën nga një shpërthim i madh në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga grupi militant palestinez Hamas, tha se kampi i refugjatëve Jabalia u godit nga së paku gjashtë sulme ajrore, si pasojë e të cilave u shkatërrua një numër i blloqeve banesore në një zonë banimi.
Zëdhënësi i IDF-së Daniel Hagari ka konfirmuar se avionët luftarakë izraelitë kryen sulmin në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza, për të cilin ai tha se vrau komandantin e lartë të Hamasit Ibrahim Biari dhe shkaktoi shembjen e infrastrukturës nëntokësore të Hamasit.
Ai tha se sulmi vrau gjithashtu disa anëtarë të tjerë të Hamasit që ishin me komandantin si “në ndërtesë ashtu edhe nëntokë”.
Ai thotë se shënjestrimi i ndërtesës çoi në shembjen e ndërtesave të tjera, të cilat ai tha se kishin “infrastrukturë shumë të gjerë”.
“Qëllimi i asaj infrastrukture ishte kryerja e aktiviteteve terroriste kundër forcave tona” deklaroi Hagari.
Hagari shtoi se e gjithë infrastruktura është shembur.
I vendosur në Qytetin e Gazës, Jabalia është kampi më i madh i refugjatëve i Gazës nga tetë sosh.
Mbi 160.000 refugjatë ishin regjistruar në të nga Kombet e Bashkuara deri në korrik 2023.
Refugjatët filluan të zhvendosin në këtë kamp pas luftës së vitit 1948. Është një zonë e vogël por e populluar dendësisht dhe përbëhet kryesisht nga ndërtesat e banimit.
Jabalia i ka 26 shkolla në 16 ndërtesa, një qendër për shpërndarjen e ushqimit, dy qendra të mjekësisë familjare, një bibliotekë dhe shtatë bunarë për ujë.
Bashkë me kampin Shati, Jabalia ndodhet në zonën të cilën Izraeli e ka deklaruar si zonë evakuimi pasi nisi bombardimet e Rripit të Gazës, pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor në qytetet e Izraelit jugor, ku i vranë mbi 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelitë.