Izraeli tha se forcat e tij sulmuan njerëz të armatosur të Hamasit brenda rrjetit të gjerë të tuneleve nën Gaza, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu hodhi poshtë thirrjet për ndalimin e luftimeve për të lehtësuar krizën humanitare.
Tunelet janë një objektiv kyç për Izraelin teksa po zgjeron operacionet tokësore brenda Gazës për të zhdukur lëvizjen në pushtet Hamas, pas sulmit të saj të befasishëm tre javë më pare, që autoritetet izraelite thonë se vrau më shumë se 1,400 njerëz.
“Gjatë ditës së fundit, forcat e përbëra luftarake të IDF-së goditën rreth 300 objektiva, duke përfshirë pikat e lëshimit të raketave antitank dhe raketave të tjera, si dhe komplekset ushtarake brenda tuneleve nëntokësore që i përkasin organizatës terroriste Hamas,” thuhet në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Militantët u përgjigjën me raketa antitank dhe mitraloz, shtoi ai.
“Ushtarët vranë terroristë dhe i drejtuan forcat ajrore drejt sulmeve në kohë reale ndaj objektivave dhe infrastrukturës terroriste,” tha IDF.
Forcat e armatosura izraelite bombarduan gjithashtu Gazën gjatë natës në sulme ajrore, detare dhe tokësore, duke synuar zonat veriperëndimore të enklavës palestineze ku trupat izraelite po vepronin në terren, thanë dëshmitarët të martën.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet arabe i kanë kërkuar Izraelit të shtyjë çdo operacion tokësor që do të shumëfishonte numrin e viktimave civile dhe mund të ndezë një konflikt më të gjerë.