Vendosni fjalën kyçe....

Meta dhe Berisha dhe qëndrimet që mbajnë kundrejt SPAK-ut


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Kreu i PD-së së Rithemelimit edhe pse janë në një bashkëpunim në opozitë kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama nuk kanë të njëjtën qasje për prokurorët e SPAK-ut dhe gjykatën e posaçme.

Ndërkohë që Sali Berisha shpesh i ka etiketuar dhe sulmuar jo vetëm në bllok por edhe me emra prokurorët e SPAK-ut dhe gjykatësit, Ilir Meta ka një qëndrim ndryshe.

Në një postim në rrjetet sociale Meta shkruan se “nuk ndan një qëndrim në bllok ndaj SPAK-ut” dhe mendon se çdo gjykim duhet bënë mbi raste konkrete se si respektohet Kushtetuta, si respektohet ligji dhe si ecet përpara në çështje të caktuara.

Meta thotë se njerëz të drejtësisë që sillen si vartës të Ramës të mos presin duartrokitje.

Unë nuk dua të ndaj një qëndrim në bllok ndaj SPAK-ut. Mendoj se çdo gjykim duhet bërë mbi çështjet konkrete, mbi rastet konkrete dhe se si respektohet Kushtetuta, se si respektohet ligji dhe se si ecet përpara në çështje të caktuara.

Mbështetjen më të plotë për të gjithë ata që zbatojnë ligjin, për të gjithë ata që i rezistojnë presioneve politike apo të botës së krimit, të gjithë ata të cilët respektojnë Kushtetutën dhe ligjin.

Pa asnjë diskutim për të gjithë ata që sillen si vartës të Edi Ramës, si vartës të Engjëll Agaçit, si vartës edhe të elementeve të tjerë të mazhorancës të mos presin duartrokitje as kur shkelin Kushtetutën, as kur shkelin ligjin dhe as kur përdoren jo për të ndëshkuar korrupsionin, jo për të ndëshkuar paligjshmërinë por për t’i shërbyer drejtësisë me regji, për të asgjësuar opozitarizmin, për të asgjësuar pluralizmin politik dhe pa dyshim për të garantuar pandëshkueshmërinë e Edi Ramës, të Erion Veliajt dhe të gjithë të tjerëve si ata”-deklaroi Meta.