Kreu i PL Ilir Meta në një konferencë për mediat zbuloi sot se nuk ka bërë dalje publike për rreth 3 javë për shkak të disa çështjeve të shëndetit.
“Unë për hir të së vërtetës gjatë këtyre 3 javëve për arsye personale të disa çështjeve të shëndetit, nuk kam qenë i angazhuar publikisht, aq sa edhe ju jeni shqetësuar”, tha Meta.
Gjithasht u shpreh se është kundër projektligjit për Prefektët, të cilëve sipas tij që i jep më shumë kompetenca. Ai tha e po centralizohet pushteti në duart e Ramës.
“Është super centralizimi i pushtetit abuziv në duart e Edi Ramës, ai që nuk e lejon Shqipërinë të ngrejë kokë.
E kundërshtojmë fuqimisht, iniciativën e re ligjore të Edi Ramës për ti dhënë fuqi më të mëdha ekzekutive Prefektëve, pra të emëruarve të Edi Ramës, mbi pushtetin vendor.
Pasi rrëmbeu shumicën e kompetencave të pushtetit lokal, Edi Rama miraton këtë ligj, që shkon kundër ligjit të veqeverisjes vendore, duke cënuar autonominë e organeve të pushtetit vendor që burojnë vetëm nga vota e sovranit dhe nuk mundet kurrësesi të jenë skllave të kryeministrit dhe mazhorancës parlamentare.
Kjo është përpjekja e fundit për të rrëmbyer tërësisht pushtetin vendor në duart e qeverisë dhe shkatërruar vullnetin e qytetarëve.”, tha Meta.