Vendosni fjalën kyçe....

SHBA: Ndërprerja e luftimeve nuk është përgjigja e duhur


Izraeli ka refuzuar ndërprerjen e luftimeve duke e quajtar atë si kapitullim para Hamasit radikal-islamik. Edhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë qëndrim.

“Ne nuk besojmë që ndërprerja e luftimeve është përgjigjja e duhur”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Kirby duke iu referuar luftës së Izraelit kundër Hamasit radikal-islamik që sundon në Gaza. Hamasi kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe si organizatë terroriste.

John Kirby theksoi, se “ne nuk e mbështesim aktualisht ndërprerjen e luftimeve”. Në vend të kësaj duhet menduar për “pauza” të caktuara për të sjellë mallrat e ushqimet për popullsinë civile në Gaza. Në të njëjtën kohë zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë u tregua i bindur, se ” në ditët e ardhshme” mund të arrihet që të hyjnë “përditë disa qindra kamionë” në zonat palestineze.

Sipas të dhënave të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit kanë hyrë në zonën e rrethuar 144 kamionë.

Më parë ishte kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, që kishte refuzuar armëpushimin.

“Pra, ashtu si SHBA pas bombardimit të Pearl Harbor apo pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit nuk miratuan ndërprerjen e luftimeve, edhe Izraeli nuk do të bjerë dakord për ndalimin e luftimeve me Hamasin pas sulmeve të tmerrshme të 7 tetorit. Sipas Netanjahut “thirrjet drejtuar Izraelit për ndalimin e luftimeve janë thirrje për të kapitulluar para Hamasit, para terrorizmit dhe barbarisë. Kjo nuk do të ndodhë.”

Luftën kundër Hamasit Netanjahu e krahasoi me luftën e Aleatëve kundër nazizmit. Në Luftën e Dytë Botërore megjithë viktimat civile nuk iu tha, “mos e shfarosni nacionalsocializmin”. Një gazetar e kishte pyetur më parë Netanjahun, nëse Izraeli me sulmet ajrore i ndëshkon kolektivisht njerëzit në Gaza për terrorin e Hamasit.

Ushtria e Izraelit ka vazhduar të martën luftën kundër Hamasit me trupa tokësore. Trupat izraelite gjenden “në pjesë të ndryshme të veriut të Rripit të Gazës“, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë, Jonathan Conricus. Në Rripin e Gazës janë dërguar avionë luftarakë, tanke, dhe buldozerë.

Sulm masiv më 7 tetor

Qindra terroristë të Hamasit kaluan më 7 tetor mbrojtjen kufitare izraelite dhe vranë ushtarë dhe civilë të pambrojtur. Disa viktima u torturuan. Më shumë se 200 vetë u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazës. Hamasi bombardoi edhe me mijëra raketa Izraelin. Sipas të dhënave të ushtrisë izraelite në sulmet e Hamasit humbën jetën 1400 vetë dhe 220 vetë u morën peng. Në kundërsulmet izraelite që pasuan, sipas të dhënave të Hamasit, kanë jetën më shunë se 8000 vetë në Rripin e Gazës. Të dhënat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur./DW