Vendosni fjalën kyçe....

Dhjetëra persona hyjnë në pikëkalimin Rafah që lidh Gazën me Egjiptin


Dhjetëra persona kanë hyrë në pikëkalimin kufitar Rafah më 1 nëntor, që lidh Gazën me Egjiptin.

Kjo duket se është hera e parë që qytetarët që kanë pasaporta të huaja janë lejuar që të largohen nga territori i rrethuar që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, pasi grupi militant palestinez kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor.

Në javën e fundit, qindra persona u mblodhën në këtë pikëkalim, por nuk u lejuan që të kalonin për shkak të mospajtimeve mes Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit. Askush nuk është lejuar që të largohet nga Gaza, përveç katër pengjeve të liruara nga Hamasi. Edhe një peng u shpëtua nga forcat izraelite më herët gjatë kësaj jave.

Media shtetërore egjiptiane raportoi se mbi 80 palestinezë të plagosur do të shkojnë nga Gaza në Egjipt të mërkurën për trajtim mjekësor. Autoambulancat janë parë duke hyrë në pikëkalimin kufitar në Rafah nga ana egjiptiane, ndërkaq spitale fushore janë ngritur në qytetin e afërt kufitar Sheik Zuveid.

Autoritetet kufitare palestineze thanë se mbi 400 posedues të pasaportave të huaja do të lejohen që të largohen nga Gaza më 1 nëntor.

Egjipti ka thënë se nuk do të pranojë një fluks refugjatësh palestinezë, nga frika se Izraeli nuk do të lejojë që ata të kthehen në Gazë pasi të përfundojë lufta.

Gaza është rrethuar që nga nisja e luftës, duke bërë që furnizimet me ushqim, ujë, ilaçe dhe karburante të jenë të pakta. Izraeli ka lejuar grupet ndërkombëtare të ndihmës të dërgojnë mbi 200 kamionë me ndihmë humanitare gjatë dhjetë ditëve të fundit, por punëtorët e ndihmës kanë thënë se kjo sasi është e pamjaftueshme.

Mbi 8.500 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, shumica gra dhe të mitur, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë të martën, pa bërë dallim në mesin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.

Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të Hamasit. Militantët po ashtu kanë rrëmbyer afër 240 persona.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.