Rritja më e madhe e buxhetit për vitin 2024 do të shkojë për Ministrinë e Mbrojtjes, duke i përqendruar më shumë fondet tek forcat e luftimit dhe ushtarakët.
Konkretisht buxheti i vënë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes është në vlerën 48.3 miliardë lekë nga 39.4 miliardë lekë që është buxheti në dispozicion për këtë vit, pas rishikimit që ju bë me akt normativ. Shtesa për këtë institucion është në vlerën 8.8 miliardë lekë, ku sipas zërave rritja më e madhe bëhet për forcat e luftimit që do të kenë në dispozicion 24.9 miliardë lekë nga 18 miliardë që është fondi për këtë vit. Pjesa tjetër e rritjes është për programin e mbështetjes së luftimit dhe mbështetje sociale për ushtarakët.
Projekt-buxheti për ministrinë e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes thotë se ky buxhet i përgjigjet modernizimit të kapaciteteve dhe infrastrukturës së Forcave të Armatosura si dhe garanton pajisjen e Forcave Tokësore me armatim të ri të ndërveprueshëm me aleatët në NATO.
“Zhvillimin dhe mbajtja në gatishmëri të kapaciteteve të FA për operacione të mbrojtjes kombëtare dhe kolektive, operacione në përgjigje të krizave, si dhe kapacitetet për përballimin e Emergjencave Civile, dhënien e ndihmës vendeve të rajonit në rast emergjencash civile në kuadrin e NATO-s, OKB-se dhe BE-së. Lartësimin e figurës dhe integritetit të ushtarakut, nëpërmjet zhvillimit të politikave të nevojshme në fushën e personelit, promovimit në karrierë, trajtimit të ushtarakut, rritjes së transparencës, llogaridhënies, si dhe eliminimin e korrupsionit në Forcat e Armatosura”, thuhet në prioritetet e këtij institucioni.
Nga ana tjetër janë rritur fondet edhe për Ministrinë e Financave, nga 50.4 miliardë lekë këtë vit, do të shkojnë në 57.2 miliardë lekë në vitin që vjen.
Përqendrime i rritjes do të jetë në programin e Sigurimit Shoqëror, i cili për vitin 2024 do të ketë në dispozicion 36.6 miliardë lekë, nga 30.7 miliardë lekë që pritet të shpenzohen për këtë program deri në fund të këtij viti.
Ministria e Arsimit vitin e ardhshëm do të marrë 52.2 miliardë lekë, nga 47.7 miliardë lekë që është këtë vit.
Po ashtu rritet buxheti për Shëndetësinë e cila për vitin 2024, do të ketë në dispozicion 78.2 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e këtij viti i ka të parashikuara në vlerën 75.7 miliardë lekë.
Rritje shpenzimesh për vitin që vjen është parashikuar të ketë edhe për Ministrinë e Kulturës, të Jashtme, të Brendshme, për Kuvendin, Drejtësinë, Turizmin, Presidencën si dhe për institucionet e drejtësisë.
Shkurtohen shpenzimet për bujqësinë e infrastrukturën
Ulja më e madhe e shpenzimeve është e parashikuar për Ministrinë e Infrastrukturës, që do të ketë në dispozicion një buxhet në vlerën 52.7 miliardë lekë nga 61.8 miliardë lekë që janë fondet e parashikuara për tu përdorur deri në fund të këtij viti, që u ndryshuan edhe me aktin e fundit normativ.
Tek infrastruktura shkurtimi më i madh i buxhetit është për transportin rrugor, që do të marrë vetëm 23 miliardë lekë, nga 34.5 miliardë lekë që i janë akorduar për këtë vit. Buxhet që ju rrit edhe me aktin normativ që ndryshoi buxhetin e vitit 2023. Po ashtu janë ulur shpenzimet për transportin ajror dhe i janë shtuar atij detar.
Projekt buxheti për Ministrinë e Ekonomisë
Ndryshe nga sa pritej, qeveria ka vendosur të ulë edhe shpenzimet për Ministrinë e Bujqësisë, edhe pse sektori bujqësor në vend është një rënie prej rreth 2 vitesh.
Për vitin 2024 ky institucion do të ketë shpenzime në vlerën 14.1 miliardë lekë, nga 15.6 miliardë lekë që ka këtë vit që ju rritën me aktin normativ që rishikoi buxhetin e vitit 2023.
Projekt-Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë
Me këtë ndarje që i është bërë buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë janë ulur fondet për Zhvillimin Rural që mbështet prodhimet bujqësore, blegtorale, agro-industrinë dhe markat, ku bëjnë pjesë edhe skemat mbështetëse. Për këtë program këtë vit do të përdoren 7.2 miliardë lekë nga 10 miliardë lekë që parashikohet të shpenzohen për këtë vit. Ndërsa janë rritur lehtë fondet për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit si dhe për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes.
Më shumë buxhet për drejtësinë: Shpenzimet për institucionet e drejtësisë në 2024-ën arrijnë në 109 mln euro
Institucionet e drejtësisë do të marrin më shumë buxhet për vitin që vjen në krahasim me këtë vit. Sipas të tabelave të shpërndarjes së buxhetit institucionet e drejtësisë do të marrin 1,8 miliardë lekë më shumë në vitin 2024, në krahasim me këtë vit.
Në total për Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, SPAK, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe sistemet e tjera të drejtësisë janë parashikuar shpenzime në vlerën 11 miliardë lekë, nga 9.2 miliardë lekë që është buxhetin në këtë vit
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com