Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi kanë debatuar në distancë lidhur me përplasjen në Kuvend të deputetëve të përjashtuar përkohësisht të opozitës.
Spiropali në një reagim të saj në rrjetet sociale thotë se deputetët e opozitës kanë nëpërkëmbur detyrën duke dhunuar institucionet e Kuvendit me qëllim që të pengonin prezantimin e Buxhetit në Konferencën e Kryetarëve dhe Komisionet Parlamentare.
“Sot, në shkelje të plotë të çdo ligji, rregulli dhe kodi, duke nëpërkëmbur detyrën dhe përdhosur misionin kushtetues, disa deputetë të opozitës, kanë dhunuar institucionet e Kuvendit duke dashur të pengojnë prezantimin e Buxhetit 2024 në Konferencën e Kryetarëve dhe në Komisione Parlamentare.
Të nderuar kolegë dhe kolege: nuk j’ua kanë fajin dyert e Kuvendit! Dera ku kanë thirrur të përgjigjet të parin tuaj, as hapet prej nesh, as mbyllet prej nesh.
Koha kur ajo derë hapej për armiqtë dhe mbyllej për shokët, aleatët dhe miqtë ka marrë fund. Kuptojeni!
Kthehuni në Kuvend dhe bëni punën tuaj!”-shkruan Spiropali.
Pas reagimit të Spiropalit, u përgjigj Albana Vokshi e cila e cilësoi eksponenten socialiste si “sekserë të Bajrave”.
Vokshi shkruan se një vend ku nuk ka liri dhe opozitës nuk i njihen të drejtat kushtetuese nuk ka mirëqënie për njerëzit.
“Sekserja e Bajrave, një prej bandave me të rrezikshme, flet për institucione, kushtetutë dhe demokraci!
Historia na ka mësuar se në një vend ku nuk ka liri dhe ku opozitës nuk i njihen të drejtat kushtetuese, nuk mund të ketë as mirëqenie për njerëzit!
Elisa Spiropali me shefin e vet le të vazhdojnë me Bajrat dhe Pëllumb Gjokën!
Ne do të vazhdojmë betejën tonë, si garancia e vetme se në Shqipëri ka shpresë!”-shkruan Vokshi.
Ditën e sotme deputetët e opozitës u përplasën me Gardën pasi nuk lejoheshin të hynin në Komisionet e Kuvendit. Gjithashtu pati edhe një debat verbal mes Gazment Bardhit dhe Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.