Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e sotme 31-vjeçarin, Elmir Tufa, i cili ishte në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit dy vite më parë në 1 shkurt 2021.
Nga pamjet e publikuara nga policia, Elmir Tufa është vënë në pranga në ambientet një parkimi.
Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit kishte vendosur masën e arrestit me burg për Tufën për veprën penale “Vrasje me paramendim”.
Ai u lokalizua nga inteligjenca policore në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë ku edhe u arrestua më pas nga Operacionalja e Tiranës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë në Krujë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Lokalizimi”.
Falë inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
I shpallur në kërkim për vrasje, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me ato të Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lokalizimi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. T., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, pasi ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.