Vendosni fjalën kyçe....

Hapen aplikimet për 300 vende në shkollën e policisë, kriteret dhe fazat për konkurim


Hapen aplikimet për 300 vende në shkollën bazë të policisë, për “Patrullë të përgjithshme”. Aplikimet janë të hapura nga data 02.11.2023 deri në datën 30.11.2023.

Ndërkohë, kuotat e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, janë 300, të ndara sipas nevojave organike të drejtorive vendore të Policisë. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë drejtorisë vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Në përfundim të të gjitha fazave të konkurrimit, 300 aplikantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë. Aplikantët e shpallur fitues në muajin qershor të vitit 2023, të cilët janë në listë pritjeje, nuk duhet të konkurrojnë, pasi ata do të vazhdojnë procesin e shkollimit, në fillim të vitit 2024.

 

KRITERET PËR APLIKIM

Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në shkollën bazë të Policisë, për “Patrullë të Përgjithshme”, janë:

– Të jetë shtetas shqiptar;

– Të jetë jo më shumë se 30 vjeç;

– Të jetë me gjatësi jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;

– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;

– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;

– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;

– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;

– Të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie.

 

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

Aplikantët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm, për aplikim në Polici:

 

– Formularin e aplikimit;

– Fotokopje të kartës së identitetit;

– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;

– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;

– Vërtetim nga gjykata;

– Vërtetim nga prokuroria;

– Mandat-pagesa e tarifës së aplikimit.

Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor. Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.

 

SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT

Afati i shqyrtimit dhe i verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve. Aplikanti që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet dhe njoftohet me shkrim nga strukturat e Burimeve Njerëzore. Aplikanti ka të drejtën e ankimimit tek Drejtoria Vendore e Policisë, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë shqyrton ankimimin dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.

 

FAZAT E KONKURRIMIT

Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar më tej procesin e konkurrimit, në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme:

– Testimi me shkrim;

– Testimi i aftësive fizike;

– Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;

– Testimi psikologjik;

– Kontrolli shëndetësor;

– Marrja e shenjave të gishtave;

– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.

 

Secili aplikant, për çdo paqartësi që mund të ketë lidhur me këtë proces, mund të drejtohet pranë strukturave të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre, me e-mail, në adresën: policiaeshtetit@gmail.com. Policia e Shtetit është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritokracisë.