Ashtu siç ishte paralajmëruar nga deputetët e Rithemelimit e kreu i saj Sali Berisha ditët e fundit po edhe mëngjesin e sotëm, seanca e sotme në Kuvend është zhvilluar mes tensionesh e debatesh të shumta, ku nuk munguan edhe përplasjet fizike e ‘koreografia’ e përgatitur nga opozita.
Që në orën 9 të mëngjesit, një orë para nisjes së seancës, Berisha e disa deputetë të Rithemelimit shkuan në parlament. Në një deklaratë për gazetarët, ai tha se populli opozitar nuk do ndalet në kërkimin e së drejtës së tij kundër shkeljes së Kushtetutës e ligjit nga qeveria e deputetët e PS-së.
“Jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese të mohuara në mënyrën më brutale por që në vlerësimin tonë janë interesi i të gjithë qytetaëve që duan pluralizmin dhe interesi i atyre që votuan kundër qeverisë dhe një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë përfaqësuesin e të cilis do të caktojë Edi Rama.” – tha Berisha.
Me hyrjen në sallë, deputetët e Rithemelimit kishin mbledhur të gjitha karriget e deputetëve socialistë dhe i kishin grumbulluar sipër njëra-tjetrës para foltores për të pamundësuar uljen e tyre dhe zhvillimin e seancës.
Me mbërritjen në sallë të deputetëve të PS-së, një pjesë e tyre provuan t’i marrin karriget por u përplasën me deputetët e Berishës që i penguan. Fillimisht ishte socialisti Qefalia që u përplas me Xhelzl Mziun e Asllan Dogjanin e PD-së e më pas edhe me Edmond Spahon.
Debatet e tensionet vijuan për disa minuta derisa foltoren e bllokoi deputeti i PD-së Ervin Salianji, i cili qëndroi aty deri në përfundim të seancës.
Ai debatoi me Qefalinë e Gogun e PS-së duke shkëmbyer akuza e kundërakuza.
Pjesë nga debati
Salianji: Karriget nuk janë tuajat janë të popullit, nuk e keni pronë këtë. E din unë çfarë përfaqëson ti.
Qefalia: Po pse ti përfaqëson popullin?
Salianji: Po po, ata përfaqësoj. Ti përfaqëson bandat.
Gogu: Je me “non gratat” ti, je bere kamikaz i paligjshmërisë.
Salianji: Ti je vegël që përdoresh, mua s’më përdor dot njeri. Unë përfaqësoj popullin.
Berisha: Pse bëhesh avokat i kriminelit Taulant Balla.
Gogu: Bëhem avokat i atyre që më kanë zgjedhur
Mes kaosit brenda sallës, Berisha deklaroi se opozita nuk do tërhiqet nga të drejtat e saj kushtetuese kundër asaj që e quajti organizatë kriminale të themeluar nga kryeministri Rama. Ai u kërkoi deputetëve socialistë të largohen nga salla pasi opozita ishte në grevë.
“Të cilët të tmerruar nga të drejtat kushtetuese të opozitës, nga komisionet hetimore që duhet të ngrejë, për të zbuluar të gjitha vjedhjet e tyre. Edi Rama ka krijuar një organizatë kriminale. Jemi këtu o rikthejme kushtetutën ose ne nuk tërhiqemi dhe kjo është betejë pa kthim. Çfarë të drejte kanë këta që t’i mohojnë opozitës kryetarin. Ose rikthim të drejtash kushtetuese ose parlament nuk ka!” – tha Berisha.
Nga jashtë sallës së Kuvendit, deputeti i PS-së Ervin Braçe, i quajti veprimet e deputetëve të Rithemelimit si ‘ato të milicive fashiste’
“Ky nuk është aksion është një milici fashiste. Të hysh nëpër sallat e komisioneve dhe të merresh me deputetin që ke përballë jo me argument por me dhunë, duke dhunuar fizikisht jemi në nivelin e milicisë fashiste. Imponimi me dhunë përkundrejt deputetëve është fashizëm. E gjithë se çfarë po ndodhte atje brenda, kishte të bënte thjeshte dhe vetëm me raportet e tyre me drejtësinë. Me raportin e Sali Berishës me drejtësinë. Ju thashë se nuk jam në dijeni. Përdorën dhunën mes parlamentit si reaksion apo si gjuhë përmes drejtësisë. Ky nuk është dialog me ne. duhet të dialogojë në gjykatë, i mbrojtur nga avokati i tij dhe jo nga partia e tij. Milici fashiste që kthehen në shërbim të një individi.” – tha Braçe.
Ndërkohë që deputetët e Rithemelimit qëndronin në këmbë anash foltores ndërsa Salianji e kishte bllokuar atë dhe ndezi disa tymuese blu njëra pas tjetrës, kryetarja e Kuvendit e deputetët e PS-së e vijuan seancën duke miratuar brenda pak minutash të gjitha ligjet e vendimet e rendit të ditës duke e mbyllur seancën.
Ndërkohë jashtë Parlamentit, deputetët e Foltores akuzuan kryeministrin Rama, ministrat e deputetët e PS-së për grabitjen e vendit, shkeljen e ligjit e Kushtetutës duke paralajmëruar për përshkallëzim të aksionit opozitar.