Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu shmang përgjegjësinë për dështimin për të parandaluar sulmin e Hamasit


Pas sulmit të tmerrshëm, që shënoi ditën më të përgjakshme në historinë 75 vjeçare të shtetit të Izraelit, zoti Netanyahu vazhdimisht ka shmangur përgjegjësinë. Ai ka fajësuar të tjerët dhe kritikët thonë se kjo dëshmon se ai është një udhëheqës i preokupuar më shumë për mbijetesën e tij politike, sesa për të udhëhequr dhe ngushëlluar një popull të traumatizuar.

“Netanyahu po bën një bejetë personale për të mbijetuar dhe kjo për të ka më shumë përparësi se lufta e Izraelit kundër Hamasit”, tha gazetari dhe autori i biografisë së zotit Netanyahu, Ashnel Pfeffer. “Si pjesë të kësaj beteje, ai është i gatshëm t’i dëmtojë ata që po udhëheqin aktualisht ushtrinë dhe shërbimet e zbulimit të Izraelit”.

Kur qindra militantë të armatosur të Hamasit thyen sistemin e sigurisë të Izraelit dhe sulmuan vendbanimet izraelite, forcat e sigurisë së Izraelit u zunë në befasi. Rreth 1,400 njerëz u vranë para se ushtarët të mbërrinin në vendin e ngjarjes. Lufta ka lënë mbi 9,000 palestinezë të vrarë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, dhe ka shkatërruar shumë pjesë të Gazës.

Sulmi ka shembur edhe besimin e gjerë që kishte ushtria, shërbimet e zbulimit dhe udhëheqësit politik, se Hamasi nuk ishte i interesuar për një konflikt të ri dhe se fuqia ushtarake e Izraelit mund ta parandalonte grupin militant.

Udhëheqësit kryesorë të sigurisë në Izrael, përfshirë shefin e shtabit, ministrin e mbrojtjes dhe kreun e agjencisë së brendshme të zbulimit të njohur si “Shin Bet”, morën përgjegjësi për gabimin trashanik disa ditë pas sulmit.

Megjithatë, zoti Netanyahu nuk ka marrë përgjegjësi për gabimet që çuan deri tek sulmi i përgjakshëm, pavarësisht faktit se ka shërbyer si kryeministër, në 13 nga 14 vitet e fundit. Ai thotë se ka kohë për hetime – pas luftës.

“Ky dështim do të hetohet. Të gjithë do të duhet të përgjigjen, sikurse edhe unë”, deklaroi zoti Netanyahu dy javë pas sulmit. Por ai ka hedhur poshtë kritikat dhe ka kundërshtuar thirrjet për dorëheqje, shkruan VOA.

“E vetmja gjë që synoj të largoj është Hamasi. Do ta hedhim atë në koshin e historisë”, u tha ai gazetarëve javën e kaluar. “Kjo është përgjegjësia ime”, shtoi ai.

Zoti Netanyahu, një figurë polarizuese në Izrael, po kritikohet edhe për mënyrën se si po i kundërpërgjigjet krizës.

Ai akuzohet se ka dështuar të unifikojë vendin përmes ndonjë fjalimi shpresëdhënës apo ndonjë gjesti të ngjashëm. Shumë izraelitë kanë marrë si shembull qëndrimin e Presidentit amerikan Joe Biden, që vizitoi Izraelin në ditët e para pas sulmit, duke thënë se e përmbushi më mirë atë rol.

Zoti Netanyahu është kritikuar se i ka vizituar vonë familjet e mbi 240 pengjeve që besohet se janë rrëmbyer nga Hamasi, shumica e të cilëve me prirje liberale, që nuk votojnë për zotin Netanyahu. Ekonomia po del nga kontrolli dhe izraelitët po ankohen për ndërhyrjen e ngadalshme të qeverisë për t’u dalë në ndihmë 250,000 izraelitëve të zhvendosur.

Por kritika më e madhe i erdhi gjatë fundjavës nga Benny Gantz, partneri i koalicionit, pasi zoti Netanyahu fajësoi drejtuesit e sektorit të sigurisë përmes rrjeteve sociale, se nuk e kishin paralajmëruar për qëllimet e Hamasit dhe se e kishin këshilluar që grupi militant ishte parandaluar.

“Gjatë luftës, udhëheqësit duhet të veprojnë me përgjegjësi”, tha zoti Gantz në një postim në platformën X.

Kryeministri Netanyahu e tërhoqi deklaratën dhe më vonë kërkoi falje.

Por kritikët thonë se dëmi u shkaktua. Hulumtuesi Idit Shafran Gittleman në Institutin për Studime mbi Sigurinë Kombëtare tha se komenti i kryeministrit Netanyahu në rrjetet sociale erdhi në kohën kur besimi në shërbimet izraelite të sigurisë gjendet në pikën më të ulët.

“Është e dëmshme për udhëheqësit e sektorit të sigurisë dhe gjithashtu dëmton besimin e ushtarëve në terren”, të cilët e shohin kryeministrit e tyre të përqendruar në gjëra të tjera dhe jo tek fitorja.

Përplasjet e kryeministrit Netanyahu me udhëheqësit e sektorit të sigurisë nuk janë risi dhe ato datojnë që kur filluan tensionet rreth reformës së kontestuar të drejtësisë në Izrael.

Aleatët e zotit Netanyahu dhe baza e tij elektorale thonë se ai po kritikohet padrejtësisht nga të njëjtat personalitete në media dhe në publik që e kanë kundërshtuar për një kohë të gjatë.

“Ose duhet të presim një hetim që do të përcaktojë fajin dhe të përqendrohemi në fitoren ndaj Hamasit ose të fillojmë ta fajësojmë njëri-tjetrin, por edhe Netanyahu ka të drejtë të përgjigjet”, shkruante gazetari Shimon Riklin, qe njihet për afërsinë e tij me zotin Netanyahu.

Anketat tregojnë se përkrahja për partinë politike Likud të Netanyahut ka pësuar rënie, ndërkohë që publiku e konsideron atë shumë më pak të përshtatshëm për të qeverisur se kundërshtarin e tij kryesor zotin Gantz. Po të mbahen zgjedhjet sot, koalicioni i zotit Netanyahu nuk do ta kishte as për së afërmi përkrahjen që i duhet për të qeverisur.

Ish gjenerali ushtarak Noam Tibon, i cili kishte kritikuar reformën e gjyqësorit dhe që shpëtoi djalin dhe familjen e tij nga sulmi i Hamasit, tha se vendit i duhet unitet për ta fituar luftën, por akuzoi zotin Netanyahu se po mbillte ndasi.

“Çdo izraelit duhet të pyesë veten: “A beson se Netanyahu mund ta çojë Izraelin drejt fitores në këtë luftë?