Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Draftstatutin e Asociacionit duhet ta shqyrtojë Kushtetuesja


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se propozimi për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Osmani i bëri këto komente gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, sipas një komunikate të Presidencës së Kosovës.

“Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, sipas komunikatës.

Kosovës dhe Serbisë i është prezantuar një propozim për draftstatutin e Asociacionit, gjatë takimeve të diplomatëve ndërkombëtarë më 21 tetor. BE-ja ka thënë se ky propozim është një model evropian.

Përmbajtja e tij nuk është bërë e ditur deri më tani dhe palëve u është kërkuar të mos zbulojnë hollësi rreth tij.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në Beograd më 31 tetor deklaroi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është de facto njohje e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Një ditë më herët në Prishtinë, ajo i kërkoi Kosovës ta themelojë Asociacionin.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se u sigurua nga emisarët perëndimorë gjatë vizitës së tyre në Prishtinë më 21 tetor se një propozim për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shkruar me kujdes dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha Kurti më 27 tetor.

I pyetur për hollësitë e planit të prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor, Kurti ka thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën që dokumenti të mos bëhet publik.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.