Organizata të shoqërisë civile në Vlorë por edhe aktivistë nga kryeqyteti kanë protestuar këtë të enjte, përpara Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të kërkuar drejtësi për vajzën e përdhunuar ditë më parë në Vlorë.
Në mesazhet e tyre, gra dhe vajza kanë theksuar rëndësinë e procesit të ndëshkimit të faktorëve dhe mbrojtjes së viktimës.
Mesazhe janë dhënë edhe nga këshilltare bashkiake në Vlorë të cilat kanë theksuar rëndësinë e drejtësisë më këtë proces.
Më herët, në këshillin bashkiak të Vlorës është parashtruar kërkesa për nënshkrimin e një rezolute kundër dhunës ndaj grave. Po ashtu mesazhe janë dhënë edhe për edukimin e të rinjve .
Aktivistët kanë marshuar me pankarta përgjatë bulevardit Vlorë- Skelë.
“Fuqia e përdhunuesit varet mbi të gjitha nga heshtja e shoqërisë”; “Mbrojmë viktimën! Dënim maksimal përdhunuesve”; “Denonco! Mos hesht! Heshtja vret”; “Shoqëria civile në mbrojtje të viktimës”; “Jo është Jo”; “Marshojmë s’festojmë për një jetë pa dhunë”; “Drejtësia duhet të triumfojë”; “Edukoni djemtë”, ishin disa nga pankartat dhe shkrimet në bluzet e zeza të të pranishmëve.