Vendosni fjalën kyçe....

U filmua duke dhunuar qentë në ashensor, vihet nën hetim 51-vjeçarja në Tiranë


51-vjeçarja me iniciale G.K. që u filmua duke dhunuar qentë në ashensor është vënë në hetim nga policia.

Kamerat e sigurisë në ashensor e filmuan atë duke rrahur pa mëshirë qentë e saj brenda ashensorit.

Ndërkohë qentë e macet u vendosën nën kujdesin e një shoqate për mbrojtjen e kafshëve.

Rasti u denoncua fillimisht në rrjetet sociale nga profili Lulka Merkulaj, që shkruante se ky rast i dhunës është bërë Tiranë në zonën e “Drejtorisë së Policisë së Tiranës”.

Njoftimi i policisë

“Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetase duke keqtrajtuar disa kafshë, në një ashensor, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetases që shfaqet në video.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe proceduan penalisht shtetasen G. K., 51 vjeçe, banuese në Tiranë.

Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.

Në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, kafshët e keqtrajtuara, u vendosën në kujdesin e një shoqate për mbrojtjen e kafshëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”