Amazon përdori një sërë strategjish të paligjshme për të rritur fitimet në perandorinë e saj të shitjes me pakicë në internet, duke përfshirë një algoritëm që rriti çmimet për familjet amerikane me më shumë se 1 miliard dollarë. Hollësitë u dhanë nga Komisioni i Tregtisë (FTC) në një dosje të re gjyqësore të enjten.
Padia e FTC-së u ngrit në shtator, por shumë hollësi u fshehën deri të enjten kur një version i padisë me më pak redaktime u bë publik në Gjykatën e Qarkut të Seattle, shkruan Reuters.
Amazon, që ka 1 miliard artikuj në dyqanin e tij online, krijoi një “algoritëm sekret të koduar nga brenda të quajtur “Project Nessie” për të identifikuar produkte specifike për të cilat parashikon që dyqanet e tjera online do ndjekin rritjen e çmimeve të Amazon.
“Amazon e përdori Projektin Nessie për të nxjerrë më shumë se 1 miliard dollarë direkt nga xhepat e amerikanëve”, tha FTC.
Zëdhënësi i Amazon Tim Doyle tha se FTC “e keqkarakterizon rëndë” mjetin e çmimeve dhe kompania e ndaloi përdorimin e tij disa vite më parë.
“Nessie u përdor për të ndaluar përputhjen tonë të çmimeve që të çonte në rezultate të pazakonta ku çmimet u bënë aq të ulëta sa ishin të paqëndrueshme,” tha Doyle.
Amazon filloi testimin e algoritmit të çmimeve në vitin 2010 për të parë nëse shitësit e tjerë në internet gjurmonin çmimet e tij dhe për të rritur çmimet për produktet që kishte të ngjarë të gjurmoheshin nga konkurrentët, thuhet në ankesë.
Pasi shitësit e jashtëm filluan të përputheshin ose të rrisnin çmimet e tyre, Amazon do vijonte ta shiste mallin me një çmim të fryrë, pretendoi FTC, gjë që rezultoi në 1 miliard dollarë fitim të tepërt.