Vendosni fjalën kyçe....

“Ciaran” vjen në Shqipëri, rrezik i shtuar dy ditët në vijim, përmbytje e ndërprerje energjie, (Foto/Video)


Stuhia e fuqishme ‘Ciaran’ që kishte prekur ditët e fundit disa vende evropiane ka mbërritur në Shqipëri.

Shira të furishëm të shoqëruar me erëra të forta goditën Tiranën dhe disa qytete të tjera duke përmbytur rrugët, duke penguar qarkullimin, duke shkëputur energjinë elektrike e duke shkaktuar dëme të tjera, të cilaat nuk janë llogaritur ende.

Sipas parashikemeve, stuhia pritet të zgjasë edhe dy ditë të tjera. Qarqet më të rrezikuara janë Lezha, Tirana, Durrësi e Elbasani.

Agjencia e Mbrojtjes Civile u bëri thirrje bashkive të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.

Nesër pritet të ketë reshje me intensitet të lartë në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare e intensive të shoqëruara me shtrëngata. Intesiteti i reshjeve pritet të jetë më i lartë në pjesën e parë të ditës.

E njëjta gjendje do vijojë edhe të dielën me stuhinë që kësaj here do zhvendoset më në veri më qarqet Shkodër e Kukës që pritet të kenë reshje intensive ndërsa të hënë e të martan pritet një normalizimin i gjendjes.

Në Tiranë rrugët u bllokuan në disa pika ndërsa Lana doli nga shtrati në disa zona.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë bllokuar rrugën Përmet-Tri Urat. Rrëshqitja e dherave ka bllokuar rreth 50 metra rrugë duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve ndërsa ka nisur puna për zhbllokimin e saj.

Stuhia shkaktoi probleme në furnizimin me energji elektrike në disa qarqe ndërsa sipas OSHEE-së ekipet në terren po punojnë për riparimin e defekteve.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dy ditët e ardhshme.