Vendosni fjalën kyçe....

Jep dorëheqjen shefi i inteligjencës serbe: SHBA e BE kërkojnë kokën time


Shefi i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Këtë e ka konfirmuar vetë Vulini nëpërmjet një komunikate.

“SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë, unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, thuhet në njoftim.

Më 11 korrik, Vulin ishte futur në listën e sanksioneve amerikane.

Sipas Thesarit, Vulin ishte përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Sipas njoftimit, ai po ashtu ishte përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare, përcjell REL.

Në një njoftim më 3 nëntor, Vullin tha se presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, dhe Serbia po përballen me kërcënime dhe shantazhe, të cilat ai i krahasoi me “ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914”.

“Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të mos jemi vend dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Vullin.

“Nëse biem dakord ta bëjmë këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, varësia e pakushtëzuar teknologjike dhe ekonomike nga Perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në që nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund as për drejtësinë sociale”, u tha në njoftimin e Vullinit.

Ai tha se sanksionet e vendosura ndaj tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dëshmi e “luftës time të vazhdueshme për unitetin e serbëve”.

“Por, vendosja e sanksioneve kundër Serbisë, për të cilat do të përdorej udhëheqja nga ana ime e BIA-s, do të ishte provë e egoizmit nga ana ime”, shtoi ai.

Ish-drejtori i BIA-s deklaroi se treguesi i parë i korrektësisë së vendimit të tij do të jenë “deklaratat hipokrite të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së në të cilat ata do të betohen se nuk kanë dashur as të vendosin ndëshkime dhe sanksione ndaj nesh”.

SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë paralajmëruar sanksione ndaj Serbisë për shkak të Aleksandar Vullinit.

Kush është Alleksandar Vullin?

Alleksandar Vullin, ish-bashkëpunëtor i Mirjana Markoviqit, gruas së Slobodan Milosheviqit, është sot partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Pas shumë vitesh përvojë ministrore në Qeverinë e Serbisë, në dhjetor të vitit 2022 u emërua shef i shërbimit të sigurisë kombëtare – Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).

Më 10 maj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku shpreh shqetësimin për emërimin e Vullin në krye të BIA-s, i cili në tekstin e rezolutës përshkruhet si një person “i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”.

Vullin është i njohur për publikun e gjerë, për retorikën e tij të ashpër ndaj fqinjëve të tij në rajon dhe miqësinë e tij ndaj Rusisë.

Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti.