Miniistri i Brendshëm, Taulant Balla ka njoftuar se dy policë janë pezulluar në Vlorë të cilët u morrën të parët me rastin e dhunës seksuale ndaj vajzës në Vlorë nga katër persona të dyshuar.
Balla thotë se është e pafalshme që dy punonjësit e polciisë kryen me vonesë veprimet hetimore të para dhe e pafalshme që bashkëpunuan me dhunuesit.
“Rasti i dhunës seksuale dhe i nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë ishte një ngjarje e rëndë, për të cilën drejtësia duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të mbarë opinionit publik. Siç jam angazhuar prej momentit të parë pasi u njoftova për këtë ngjarje, kam kërkuar verifikimin e veprimeve të Policisë së Vlorës për këtë ngjarje tronditëse. Për këtë qëllim Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Jursdiksionit të Përgjithshëm Vlorë kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Vlorë për pezullim nga detyra dhe ndalim dalje jashtë vendit të dy punonjësve të Drejtorisë së Policisë. Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit. Prandaj e kam thënë dhe ta them çdo ditë se rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetit që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”-shkruan Balla.
Ngjarja ndodhi më 22 tetor ku vajza 26-vjeçare u gjet në rrugë në gjendje shoku dhe e pavetëdijshme.
Më pas u zbulua se ndaj vajzës kishte ndodhur një abuzim ku nga hetimet doli se ishin katër persona të përfshirë.