Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e Studentëve të Mjekësisë jep efektet e para, kërkojnë nga dekani sezon shtesë për provimet


Pas dakordësisë për t’u kthyer në auditorë, Studentët e Mjekësisë kanë kërkuar nga Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini zhvillimin e një sezoni shtesë provimesh që t’iu shërbejë studentëve për plotësimin e krediteve të nevojshme për kalimin e vitit pasardhës.

Sakaq, ata kërkojnë tolerancë akademike në lidhje me mungesat gjatë bojkotit të tyre 4-javor për shkak të kundërshtimit me anë të protestave të ligjit për Trajtimin e Veçantë të studentëve të Mjekësisë që i detyron ato 2-5 vite të punojnë në Shqipëri pas diplomimit.

Pas takimit me rektorin e UMT Arben Gjata, studentët u janë rikthyer auditorëve që prej 30 tetorit, për të hyrë në leksione deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese pas ankimimit të tyre ndaj ligjit detyrues.

Premtimet e rektoratit

1. Nuk do firmoset asnjë kontrate deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
2. Do përgatitet një plan për zëvendësimin e orëve të humbura,
3. Do këtë edhe një takim me Ministrinë e Arsimit

Ligji për diplomat e Mjekësisë

Çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor deri në 5 vite në vendin e tij dhe zgjedh të largohet jashtë Shqipërisë pas studimeve, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi. Prej më shumë se 4 javësh studentët e Mjekësisë kanë protestuar dhe bojkotuar mësimin kundër ligjit që i vendos mes dy zgjedhjeve.

Sipas ligjit të miratuar nga qeveria, studentët e vitit të parë do duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve. Studentët nga vitit i dytë deri në vitin e katërt do të punojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit. Ndërkohë që alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve, 240 mijë lekë të reja.