Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Krimi i organizuar ishte ulur këmbëkryq në vend, sot është tkurrur


Kryeministri Edi Rama, nga Fieri duke folur në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së, theksoi se lufta kundër krimit të organizuar ka hyrë në një fazë revanshi. Kreu i qeverisë theksoi se krimi i organizuar ishte ulur këmbëkryq në të gjithë vendin ndërsa sot është tkurrur në vatra të caktuara.

“Kur them drejtësia kam parasysh korrupsionin dhe krimin. Kemi për shkak të reformës në drejtësi, dhe punës që është bërë me forcat e rendit, jemi sot në një fazë revanshi të rëndësishëm ndaj krimit të organizuar. Dhe kjo nuk është diçka që bëhet se do ta bësh ti dhe e bën, por kërkon shumë kohë, durim, sofistikim sepse krimi i organizuar ishte i shtrirë këmbëkryq në të gjithë territorin, sot është tkururr në vatra të caktuara. Por me krijimin e SPAK-ut dhe me fokusimin tani të të dyja palëve, sepse deri dje thuhej policia, por aleati më i madh i krimit ka qenë prokuroria dhe gjykata jo policia. Dhe po të shikosh vetëm disa statistika të thjeshta se sa kriminelë, po flas për kriminelë vrasës, përdhunues, sa prej tyre kanë rikryer vrasje, kanë rikryer përdhunime pasi policia i ka arrestuar, çuar në gjykatë dhe gjykatësit i kanë nxjerrë në sallë. Janë qindra.

Dhe nga ana tjetër, kemi bërë hapa kundër krimit të organizuar por kanë qenë hapa që s’na kanë dhënë pozicion revanshi, por ekuilibri. Tani kemi hyrë në revansh shteti, jo qeveria. Qeveria ka ministrinë e brendshme, kjo është përgjegjëse për punën e policisë por ndërkohë shteti ka shërbimin e vet informativ që është futur në një fazë komplet tjetër edhe kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por tani është edhe SPAK, dhe çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash, profilesh të larta të krimit të organizuar është vetëm fillimi i fundit, dmth ka filluar fundi i pozicionit të le të themi të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara. Do të jetë shumë e afërt koha kur të gjithë këto vatra do të shuhen dhe të gjithë ata që i përkasin asaj bote, dhe që do të kenë kurajon të rrinë në Shqipëri sepse një pjesë ia kanë mbathur do të përfundojnë aty ku kanë filluar të shkojnë ata që kanë provat e para të gjalla se si nuk ka asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe se si këtë luftë e kemi filluar 10 vjet më parë, do ta fitojë shteti. Do ta fitojë pa kthim. Ama një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të porganizuar do të mbyllet pa kthim dhe nëse krimit të organizuar përdoret shprehja bota e nëndheshme, ata do të kenë bishtat e tyre por jo më mbi dhe, nën dhe. Mbi toka e Shqipërisë do të jetë e qytetarëve. pastaj lufta e shtetit me krimin e organizuar do të bëhet me minjtë e nëntokës jo me mexhelise dhe deri tek fondet publike. Është një nga gjërat më të sigurta dhe koha do të flasë për këtë që po them. Çdo ditë do të shihni se veprimi ndaj krimit të organizuar do të jetë shembull.”, theksoi Rama.