Vendosni fjalën kyçe....

Statuti i PD-së/ Shtyhet seanca, avokati i Bashës kërkoi përjashtimin e gjyqtarit


Seanca për statutin e Partisë Demokratike në Gjykatën Civile është shtyrë përsëri. Gjykata Civile rrëzoi kërkesën e përfaqësuesve të PD-së zyrtare për dorëzimin e dokumentacioneve shtesë nga grupi i Gazment Bardhit, të bërë në seancën e datës 1 nëntor.

Edhe pse gjykata u la 2 ditë kohë për paraqitje shtesë të dokumenteve për të vërtetuar zhvillimin e Këshillit Kombëtar nga ana e Bardhit, përfaqësuesit thanë më gjykatë se nuk është procesi në fjalë për të sjell këto dokumente.

Sipas gjykatës, në dosje ka dokumentacione të mjaftueshëm dhe me këtë arsyetim u rrëzua pala e Bashës. Për shkak të këtij vendimi, përfaqësuesi i Lulzim Bashës, Indrit Sefa, kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Niko Rrapi nga procesi gjyqësor.

Nisur nga kjo, Sefa tha se do të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit Niko Rrapi nga procesi gjyqësor. Për mediat, Sefa tha se gjyqtari ka mbajtur anë dhe se PD kërkon që të shqyrtojë dokumentet që vërtetojnë mbajtjen e mbledhjes online të Këshillit, të cilën e quajti thjesht një imagjinatë të Bardhit.

“Kemi kërkuar dokumentacion në lidhje me zhvillimin e Këshillit Kombëtar imagjinar dhe online. Duam dokumenatcionin e paraqitur dhe të presupozuar që ekziston, duam që palët që janë në proces të vërtetojnë që ky Këshill Kombëtar imagjinar është zhvilluar apo jo. Gjykata vendosi që këtë dokumentacionin mos ta kërkojë, në kërkuam përjashtimin e gjyqtarit të çështjes për një anshmëri. Do paraqesim edhe kërkesën për përjashtim dhe do shohim në ditët në vijim se kujt gjykate do i drejtohemi. Absurde të vish në një proces gjyqësor dhe të mos paraqitet dokumentacioni. Duam ta vlerësojmë. Ne kemi dyshime se ajo mbledhje nuk është kryer kurrë dhe personat që kanë marrë atribute që nuk i takojnë kanë firmosur në lidhje me këto dokumentacione”, tha Sefa.

Gjykata deklaroi në vijim se vendimi për kërkesën për përjashtim do të merret nga një trup gjykues. Në rast të mos pranimit për ndryshim të gjyqtarit, seanca e radhës vendoset në datë 13 nëntor, ora 15:00.