Vendosni fjalën kyçe....

Vitet e ardhshme do përcaktojnë rendin e ardhshëm botëror – Biden


Bota është në një udhëkryq dhe vitet e ardhshme do përcaktojnë fatin e saj për disa breza që do vijnë, ka pohuar presidenti amerikan Joe Biden. Parashikimi i tij vjen në mes të përplasjes së Uashingtonit me Rusinë për Ukrainën dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të tendosura të vendit të tij me Kinën.

Duke folur përpara një takimi me presidentin kilian Gabriel Boric të enjten, Biden tha se “vjen një kohë, ndoshta çdo gjashtë deri në tetë breza, ku bota ndryshon në një kohë shumë të shkurtër”.

Udhëheqësi amerikan pohoi më tej se “ajo që do ndodhë në dy, tre vitet e ardhshme do përcaktojë se si do duket bota për pesë ose gjashtë dekadat e ardhshme”.

Sipas Shtëpisë së Bardhë gjatë takimit Biden-Boric, u diskutuan çështje me shqetësim të përbashkët, duke përfshirë përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike.

Biden foli gjithashtu muajin e kaluar për nevojën për një “rend të ri botëror”, duke sugjeruar se ndërsa sistemi i pas Luftës së Dytë Botërore ka funksionuar për dekada, ai “po  mbaron”.

Megjithatë, nëse amerikanët “janë mjaft të guximshëm dhe kanë besim të mjaftueshëm në vete, ata do kenë një mundësi ta bashkojnë botën në mënyra që nuk ka qenë kurrë më parë,” këmbënguli ai.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës kanë rënë në nivele të ulëta të paprecedentë për shkak të konfliktit në Ukrainë. Edhe ato me Kinën janë të tensionuara, veçanërisht për mbështetjen e Uashingtonit për Tajvanin. Të dy kombet janë gjithashtu të përfshirë në një rivalitet të fortë ekonomik.

Biden ka sinjalizuar se SHBA po punon me anëtarët e G7 për të konkurruar ekonomikisht me Kinën.