Autoritetet shqiptare kanë pranuar zyrtarisht se koncesioni i skanimit, që u merr shqiptarëve 16 milionë euro në vit, nuk garanton sigurinë e kufijve të vendit dhe madje ka cenuar sigurinë kombëtare.
Kapitali.al zbardh korrenspondecat zyrtare mes Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Doganave, Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe Autoritetit Portual, të bëra publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Për herë të parë alarmi është dhënë nga ish ministri Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili përmes një shkresë zyrtare në maj të vitit 2017 informon ministrinë e Financave se siguria e skanimit në Portin e Durrësit është e kompromentuar.
“Funksionimi vetëm i një skaneri në hyrje, i cili vlerësohet se nuk është vendosur në pozicionin e duhur, krijon problematika të trafikut. Për më tepër, rrezikohet që pas procedurës së skanimit, automjetet që dogana i ka dërguar për skanim dhe kanë rezultuar pa probleme, të mund të marrin mallra të kundraligjshëm në rrugë e sipër, për shkak të largësisë së skanerit me sheshin e eksporteve,” thuhet në shkresë.
Sipas ministrit të Brendshëm, drejtuesit e Policisë së Shtetit kishin kontaktuar shoqërinë për të diskutuar mundësinë e vendosjes së një skaneri shtesë në dalje të kufirit. Por kompania është përgjigjur se kjo ka kosto dhe duhet të përballohet nga shteti shqiptar.
Dy javë më vonë, ministria e Financave e përcjell shkresën me shqetësimet e ministrisë së Brendshme drejt shoqërisë koncesionare S2 Albania dhe Drejtorisë së Doganave.
Shqetësimi i ngritur nga ministria e Brendshme për sigurinë është konfirmuar edhe nga Doganat. Sipas Doganave, distanca mes skanerit dhe sheshit të përpunimit të eksporteve është 1 kilometër dhe lëvizja e mjeteve në këtë distancë është e pamundur të kontrollohet. Kjo problematikë, thekson Dogana, është bërë dhe më e ndjeshme në vijim të masave shtesë të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
“DPD ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të shoqërisë koncesionare për mundësinë e shtimit të një pajisje skanimi, por nga ana e shoqërisë është thënë se është e pamundur në kushtet aktuale,” thuhet në shkresën e Doganave.
Dështon tenderi
Në vijim të kësaj korrenspodence, ministria e Financave ka rekomanduar ngritjen e një grupi pune me përfaqësues të Doganave dhe shoqërisë koncesionare për të vlerësuar alternativat e mundshme për zgjidhjen sa më efektive dhe pa kosto financiare shtesë të problemit.
Por sipas KLSH-së kjo nuk ndodhi. Situata problematike lidhur me vendndodhjen e skanerit në Portin e Durrësit përsëritet 4 vite më vonë, pikërisht në vitin 2021, kur Autoriteti Portual Durrës ka dërguar drejt MFE një kërkesë për bashkëpunim lidhur me forcimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë portuale të Portit të Durrësit.
“Nevoja dhe domosdoshmëria e zhvendosjes së skanerit në një vendndodhje të re e cila plotëson standardet e sigurisë portuale, por edhe të parandalimit të kryerjes së aktiviteteve kriminale është konfirmuar dhe dakordësuar nga përfaqësuesit e organeve ligjzbatuese gjatë mbledhjes së Komitetit të Sigurisë në Portin e Durrësit,” thuhet në shkresën e APD.
Pas shumë takimesh dhe korrespondencash u vendos që zhvendosja e skanerit të merrej përsipër me paratë e buxhetit për të financuar ndërtimin e një godine të re së bashku me të gjithë infrastrukturën e përshtatshme që kërkonin pajisjet. Ministria e Financave i dha 74 milionë lekë Doganave për të realizuar tenderin, por ai dështoi. Arsyeja? Sërish kompania koncesionare S2 Albania.
Grupi i punës kishte kontaktuar me shoqërinë koncesionare duke i komunikuar se këto zhvendosje janë shumë specifike dhe për pasojë duhet të kryheshin nga një subjekt i miratuar nga vetë ata. Në këto kushte shoqëria koncesionare nuk ka ofruar asnjë ofertë për realizimin e kësaj procedure.
Siguria Kombëtare
Por skaneri në Portin e Durrësit nuk është problemi i vetëm që lidhet me sigurinë kombëtare. Janë edhe dy pika të tjera të rëndësishme, të cilat aktualisht nuk kanë mbulim fare me skaner. Bëhet fjalë për Portin e Vlorës dhe pikën kufitare të Hanit të Hotit.
Pika e Kalimit Kufitar Hani i Hotit konsiderohet si një pikë kalimi kufitare e kategorisë së parë. Ajo lidh jo vetëm Shqipërinë me Malin e Zi, por edhe është pjesë e aksit që lidh Italinë me Slloveninë me Ballkanin Jugor. Nga të dhënat e marra nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare rezulton se kjo pikë kalimi përpunon 7,200 persona dhe 2,000 mjete në ditë.
Nisur nga këto të dhëna, në vitin 2018, Komisioni për Sigurinë Kombëtare sugjeron konkretisht rinegocimin e kushteve të kontratës koncesionare për mundësinë e prezencës së një supervizori nga pala shqiptare në momentin e kryerjes së procesit të skanimit, si dhe shtrirjen e skanimit edhe në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit.
Në janar të vitit 2022, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kërkesën për vendosjen e pajisjes së skanerit në 2 pika të tjera doganore, Porti i Vlorës dhe Pika e Kalimit Kufitar Hani i Hotit, të cilat vlerësohen me risk në kuadrin e shfrytëzimit nga elementi kriminal.
Por pavarësisht rekomandimeve të Komisionit të Sigurisë dhe kërkesave të Policisë së Shtetit, të dyja pikat mbeten pa mbulim me skaner duke i lënë ato të ekspozuara ndaj trafikimit.
Kjo situatë sipas KLSH ka cenuar sigurinë kombëtare të vendit. “Përcaktimi i vendndodhjes fizike të skanerit në Portin e Durrësit ka paraqitur probleme të shumta të cilat lidhen ngushtësisht me efektivitetin e shërbimit të skanerit, deri edhe me cenimin e sigurisë kombëtare,” shkruan KLSH në raportin e auditimit.
I dhënë në vitin 2013 nga qeveria në ikje e Partisë Demokratike, koncesioni i skanimit u justifikua pikërisht me forcimin e sigurisë së kufijve. Por 10 vjet më vonë, koncesioni sipas KLSH-së paraqet probleme të shumta deri edhe me cenimin e sigurisë kombëtare.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Kapitali.al