Pasi disa orësh ndërhyrje, është zhbllokuar gjatë natës aksi rrugor Theth – Ndërlysaj, i cili ishte bllokuar në tre vende si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjes së gurëve.
Gjatë natës u zhbllokua rruga edhe në vendet e njohura si “Shkëmbi i Thethit” dhe pranë “Centralit”.
Tashmë aksi rrugor nga Ndërlysaj në drejtim të Thethit do të jetë i hapur për udhëtarët.
Vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme duke bërë që vranësirat dhe shirat të jenë prezente herë pas here shirat do të paraqiten në formë shtrëngate shoqëruar me stuhi të forta ere.
Më të theksuara reshjet do të jenë në zonat veriperëndimore të Shqipërisë. Parashikohet që gjatë pasdites dhe mbrëmjes të ketë dobësim të intensitetit të shirave në pjesën më të madhe të territorit duke lënë me rrebeshe të përkohshme skajin veri-veriperëndimor.