Vendosni fjalën kyçe....

Prodhimi i lulëkuqes së opiumit në Afganistan bie 95% pas ndalimit të talebanëve, thotë OKB


Prodhimi i lulekuqes së opiumit në Afganistan, më parë furnizuesi kryesor në botë, ka rënë që kur administrata talebane ndaloi kultivimin e lëndëve narkotike vitin e kaluar, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara të dielën.

Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) tha se kultivimi i opiumit ra në të gjithë vendin në vetëm 10,800 hektarë në vitin 2023 nga 233,000 hektarë një vit më parë, duke ulur furnizimin me 95% në 333 ton.

Kjo po ushtronte presion mbi fermerët në vendin e shkatërruar nga lufta, ku shumica e njerëzve varen nga bujqësia dhe vlera e eksporteve të lulëkuqes kishte tejkaluar vlerën e të gjitha mallrave të eksportuara formale, tha UNODC.

Rënia e mprehtë mund të ketë pasoja të mëdha për ekonominë në një vend ku rreth dy të tretat e popullsisë tashmë kanë nevojë për ndihmë humanitare, thuhet në raport.

“Gjatë muajve të ardhshëm, Afganistani ka nevojë të madhe për investime të forta në mjete jetese të qëndrueshme për t’u ofruar fermerëve afganë mundësi larg opiumit,” tha në një deklaratë Ghada Waly, drejtoresha ekzekutive e UNODC.

Tkurrja e madhe e furnizimit nga Afganistani – që vlerësohet të furnizojë rreth 80% të opiumit të paligjshëm në botë – mund të çojë përfundimisht në një rënie të përdorimit të opiumit ndërkombëtarisht, por gjithashtu rrezikoi përshkallëzimin e përdorimit global të alternativave të tilla si fentanili ose opioidet sintetike, tha UNODC.

Udhëheqësi suprem shpirtëror i talebanëve ndaloi kultivimin e lëndëve narkotike në prill 2022 dhe Ministria e Brendshme tha se do shkatërronte çdo prodhim të mbetur. Gjatë sundimit të tyre të mëparshëm, talebanët në vitin 2000 ndaluan kultivimin e lulëkuqes pasi ata kërkonin legjitimitet ndërkombëtar, por u përballën me një reagim popullor, sipas ekspertëve.

Shumë nga provincat ku talebanët kanë pasur historikisht nivele të larta mbështetjeje, si Helmandi jugor, kanë një përqendrim të madh të kultivimit të lulekuqes së opiumit. UNODC tha se shumë fermerë kishin kaluar në kultivimin e grurit, por kjo solli dukshëm më pak fitim se lulekuqet.