Autoritetet pakistaneze i kanë riatdhesuar rreth 15.000 refugjatë afganë në 24 orët e fundit, teksa rriten përpjekjet për ta luftuar migrimin ilegal.
Sipas shifrave qeveritare të Pakistanit, rreth 4.4 milionë refugjatë afganë jetojnë në Pakistan, dhe 1.7 milion prej tyre janë pa dokumente valide.
Pakistani ka njoftuar muajin e kaluar se do të kryejë dëbime masive të refugjatëve afganë pa dokumente, vendim që është kritikuar nga qeveritë perëndimore dhe grupet ndërkombëtare për të drejta të njeriut, shkruan REL.
Ministria e Brendshme e Pakistanit ka thënë të shtunën se mbi 200.000 refugjatë afganë janë dëbuar prej Pakistanit prej nisjes së fushatës.
Sipas disa zyrtarëve pakistanezë, mbi 90 për qind e refugjatëve janë duke u nisur vullnetarisht drejt Afganistanit.
Refugjatët ilegalë nuk gëzojnë mbështetje financiare.
Pakistani ka dhënë urdhër për dëbime disa muaj pas tensioneve me udhëheqësit talibanë në Afganistan, lidhur me sulmet kufitare.
Islamamabadi i ka fajësuar militantët islamikë për operacionet e kryera në anën afgane.
Vëzhguesit i shohin dëbimet si mënyrë për t’iu bërë presion talibanëve që të marrin vendime kundër militantëve afër kufirit.