Sekuestrohen rreth 160 doza lënde narkotike kokainë, dhjetëra doza kanabisi, dhe shuma të ndryshme parash, të dyshuara të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i shitjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Tempulli” u arrestuan Kol Braçi, Orgito Idrizi, Helson Gjabri, Arjan Domi, Endrit Kotorri, Elvi Zani
NJOFTIMI I POLICISE
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me ato Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion për disa shtetas që shitnin lëndë narkotike kokainë e kanabis, në afërsi të lokaleve të natës, në zona të ndryshme në Tiranë, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
– K. B., 33 vjeç, O. I., 18 vjeç, H. Gj., 19 vjeç, A. D., 42 vjeç, dhe E. K., 35 vjeç, E. Z., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës 17 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve fizike dhe të automjeteve të këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën rreth 160 doza me lëndë narkotike kokainë, dhjetëra doza kanabisi dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në afërsi të lokaleve të natës të ndryshme në Tiranë.
Rreth 160 doza lënde narkotike kokainë, dhjetëra doza kanabisi, e shuma të ndryshme parash u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.