Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar një luftë më të ashpër ndaj evazionit fiskal në sektorin e ndërtimit. Akuzat e SPAK për Malltezin për pastrim parash dhe argumentimin e tij se ka investuar paratë e fituara nga shitja e apartamenteve që në gropë, Braçe thotë se janë të frikshme.
“Përtej korrupsionit së funksionarëve të lartë të shtetit, dhe pastrimit të produkteve të veprës penale në një sektor si ndërtimi, ajo që bie në sy është edhe evazioni i tmerrshëm fiskal. Fitojnë si ish pronarë, fitojnë si ndërtues fitojnë dhe si aksioner. Mund të më thotë kush se sa tatime paguajnë këta njerëz. Kjo historia që unë i kam bërë paratë, duke shitur që në gropë duhet të marrë fund, pasi i mohon buxhetit të shtetit miliona euro tatime dhe taksa që duhet paguar”, tha Braçe.
Duke marrë shkas nga skandali me privatizimin e ish-Kompleksit Partizani, deputeti i PS-së Erion Braçe ka propozuar në Komisionin e Ekonomisë rishikimin e ligjit për procedurat tatimore.
“Mendoj se ligji për procedurat tatimore duhet të ndryshojë për të mbyllur shtigjet e evazionit fiskal”, u shpreh më tej ai.
Për deputetin socialist është e papranueshme që ndërtuesit nuk paguajnë TVSH, për truallin që blejnë për ndërtim.
“Mendoj që tani është momenti që furnizimi me tokë për qëllime ndërtimi jo vetëm në zona rezidenciale por në çdo zonë të tatohen me TVSH. Nuk mundet që këta të pasurohen pa hesap dhe buxheti i shtetit të mos marrë asgjë. Po prit, se po i marrim TVSH, bukës, sheqerit, vajit e orizit”, pohoi Braçe.
Një propozim të tillë deputeti socialist e ka bërë edhe për paketën fiskale të vitit 2021, që të hiqen favoret e bëra me TVSH-në për ndërtuesit.