Vendosni fjalën kyçe....

Ish Presidenti Trump në gjyq nën akuzat për mashtrime financiare të kompanisë së tij


Donald Trump doli sot para gjykatës në qytetin e Nju Jorkut për të dëshmuar në një çështje civile për mashtrim financiar të kompanisë së tij. Kjo paraqitje pa dyshim do të ofrojë spektakël: një ish President dhe kandidati kryesor republikan për president duke u mbrojtur ndaj akuzave se ka fryrë në mënyrë dramatike pasurinë e tij.

Gjatë seancës të së hënës, gjykatësi i çështjes Arthur Engeron i kërkoi zotit Trump të jepte përgjigje të përmbledhura, duke i kujtuar që gjykata “nuk është tubim politik”.

“Zoti Kise, a mund ta kontrolloni klientin tuaj? Ky nuk është tubim politik. Është gjykatë,” i tha gjykatësi Engeron avokatit të zotit Trump, Christopher Kise.

Zoti Trump mbajti të njejtin qëndrim si dy djemtë e tij gjatë dhënies së dëshmive për këtë çështje muajin e kaluar. Ai u mundua të minimizonte rolin e tij të drejtpërdrejtë në përgatitjen apo vlerësimin e bilancit financiar të kompanisë së tij.

Akuzat dëmtojnë reputacionin e zotit Trump, të ndërtuar me kujdes ndër dekada dhe mund t’i kushtojë humbje financiare shumicës së bizneseve të tij, shkruan VOA.

Por dalja e tij para gjyqit mund të jetë edhe fillimi i një etape që do të përcatojë procesin zgjedhor të vitit 2024, nëse ai do të bëhet kandidati përfundimtar republikan për president. Ai pritet të përdorë foltoren e dëshmitarit në gjykatë si platformë zgjedhore, ndërsa përballet me disa aktpadi penale.

“Do të jetë një moment i jashtëzakonshëm. Kjo situatë është dramatike edhe po të bëhej fjalë thjesht për një ish president që përballet me këto akuza. Fakti që ai është kandidati kryesor republikan, me gjasat më të mëdha për të fituar emërimin e partisë, e bën këtë rast të veçantë,” thotë historiani Douglas Brinkley.

Gjykata në Manhaten, tashmë është bërë një destinacion i njohur për zotin Trump. Ai ka kaluar orë të tëra muajin e fundit, i ulur vullnetarisht në bankën e mbrojtjes, duke përcjellë procesin gjyqësor.

Në të shumtën e kohës, ai ka folur jashtë gjykatës, ku ka shfrytëzuar praninë e madhe të gazetarëve dhe mediave për të shprehur mllefin e tij dhe për t’i kthyer zhvillimet në gjykatë në argumente në favor të fushatës së tij.

Të hënën ai u përball me gjykatësin Engoron, të cilin e ka kritikuar ditëve të fundit në rrjete sociale si “të krisur” dhe “gjykatës të së majtës radikale dhe aktivist demokrat” që tashmë ka “marrë vendime të ashpra ndaj tij.”

Ajo që gjykata po shqyrton është roli që ka luajtur vetë zoti Trump në vlerësimin e pronave të kompanisë dhe përgatitjen e bilanceve vjetore financiare. Zoti Trump ka gjasa të pyetet për huatë dhe marrëveshjet e tjera që janë bërë duke u mbështetur pikërisht në këto deklarime dhe se cili ishte synimi i tij, nëse kishte një të tillë, në mbivlerësimin e pasurisë në dokumentet që u paraqiste bankave dhe kompanive të sigurimit.

Zoti Trump ka gjasa të pyetet se si e sheh dhe si e vlerëson kompaninë që mban emrin e tij, si dhe ndikimin ekonomik të famës dhe kohës së tij si president – dhe mund t’i kërkohet të sqarojë pohimet se deklarimet financiare në fakt kishin nënvlerësuar pasurinë e tij.

Eric Trump, një prej djemve të ish presidentit, që dëshmoi javën e kaluar, tha se babai i tij mezi po priste të dëshmonte.

“E di që mezi po pret. Ai e sheh këtë rast si një prej padrejtësive më të mëdha që i është bërë. Dhe e tillë është,” Eric Trump u tha gazetarëve të premten, se familja e tij do të fitonte, ndonëse gjykatësi tashmë ka marrë një vendim kundër tyre.

Zoti Trump ka përvojë të gjatë me procese gjyqësore dhe paraqitjet e tij të mëparshme mund të shërbejnë për të krijuar një ide për dëshminë e tij në këtë rast. Por një ish avokat i tij, që ka punuar për zotin Trump për më shumë se një dekadë, e që tani është kthyer në kundërshtar të tij, Michael Cohen, tha se asgjë në të kaluarën e zotit Trump, nuk i afrohet çështjeve me të cilat po përballet tani.

“Rasti i ngritur nga prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut paraqet rrezik për ekzistencën e kompanisë së tij dhe të ardhmen e tij financiare,” tha ai. Ndërkohë çështjet penale – përfshirë ajo për shpërdorimin e fondeve të fushatës si pagesë në këmbim të heshtjes së një aktoreje të filmave për të rritur, aktpadia për përpjekjet e jashtëligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, si edhe ajo për fshehjen e dokumenteve në rezidencën e tij në Mar-a-Lago “kanë pasoja shumë më mëdha, deri tek burgimi”.

Sipas historianit Brinkley ka pak shembuj si ai i paraqitjes në gjykatë të zotit Trump, por kjo nuk do të jetë hera e parë që një president dëshmon në procese gjyqësore për shpërdorim. Ai përmend një rast të vitit 1915, kur pas kandidimit të pasuksesshëm për president për herë të tretë si kandidat i një partie të tretë, ish Presidenti Theodore Roosevelt u padit për shpifje, pasi kishte kritikuar kryetarin e partisë republikane në New York, William Barnes.

Gjykatësi vendosi në favor të zotit Roosevelt pas një gjykimi pesëjavësh, gjatë të cilave ish presidenti dëshmoi për tetë ditë radhazi.

“Ishin pesë javë shumë të vështira,” i kishte shkruar ai djalit të tij. “Por rezultati ishte një fitore e madhe dhe jam i përkushtuar që të mos përballem me padi për shpifje e që të paktën për momentin të mos marr pjesë aktive në politikë.”