Gazment Bardhi, komentoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët dhe takimin e kryeministrit Edi Rama me homologen italiane, Giorgia Meloni.
Bardhi cilësoi Shqipërinë si një vend që nuk ka kapacitet të mbajë një numër kaq të lartë emigramtësh dhe si një vend që nuk ka kapacitete për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore.
I ftuar në studion e emisionit “Open”, në News24, Bardhi u shpreh se kjo marrëveshje është një akt që tregon se Rama e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig të tij personal.
Ndër të tjera kreu i grupit parlamentar të PD-së, tha se kryeministri po tregohet i papërgjegjshëm duke vënë në rrezik sigurinë publike të qytetarëve.
“Ky është një lajm që konfirmon ato të që kanë qarkulluar më parë. Që vizita e kryeministres Meloni në verë ka qenë pikërisht për këtë marrëveshje. Personalisht nuk e kam besuar këtë lajm. Është një nga këto aktet që tregon se Rama e trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal. Për këtë marrëveshje duhet bërë transparencë. Çdo vendim që merret do duhet të jetë transparente dhe të krijojë siguri.
Shqipëria nuk ka kapacitete për të pritur një numër kaq të lartë të emigrantëve. Shqipëria nuk ka kapacitete për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore. Ky mund të jetë një burim i ri për këtë trafik nga grupet kriminale. Ajo që është irritues është se vizita ishte surprizuar dhe se Rama s’mund të rrezikojë sigurinë e shqiptarëve, pa e bërë transparente. Pra rrezikohet siguria publike e shqiptarëve. Nuk ka nënshkruar një marrëveshje që do i mirëpresë këta emigrantë në shtëpinë e tij në Surrel. Një kryeministër i përgjegjshme që s’ka gjë për të fshehur, para se të firmosë duhet të shpjegojë se çfarë ka ndërmend të firmosë. Për vendime të tilla që prekin jetën e çdo qytetari ne kemi një terr informativ dhe zero informacion. Ne e marrin vesh këtë lajm nga mediat italiane.”, u shpreh Bardhi.