Vendosni fjalën kyçe....

Projektbuxheti 2024/ Mete: Parashikon rreth 26.2 miliardë lekë për institucionet e drejtësisë


Buxheti i institucioneve të drejtësisë është dyfishuar brenda 8 vitesh dhe rritja do të vijojë edhe në vitin që vjen.

“Projektbuxheti i vitit 2024 parashikon rreth 26.2 miliardë lekë për drejtësinë, ose 13.5 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2016. Edhe krahasuar me vitin 2023, buxheti i parashikuar për sektorin e Drejtësisë rritet në mënyrë të konsiderueshme, me 4.2 miliardë lekë më shumë”, u shpreh ministri Ervin Mete.

I pranishëm në Komisionin e Ligjeve, ministri i Financave Ervin Mete tha se shpenzimet për personelin në vitin që vjen do të jenë 16 miliardë lekë ku përfshihet edhe rritja e pagave. 

Ministrifoli edhe mbi  investimet publike të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2024 për institucionet e drejtësisë.

“Për SPAK mbështeten me 550 milionë lekë projektet e reja infrastrukturore dhe pajisjet teknologjike, të cilat parashikohen të implementohen në vitet 2024-2025.  Implementimi dhe Përmirësimi i sistemit të regjistrit elektronik noterial, me vlerë rreth 234 milionë lekë. Ndërkohë që vijon mbështetja buxhetore për ndërtimin e Institucionit për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve me 632 milionë lekë për vitin 2024”, tha Mete.

Investime të tjera në fushën e drejtësisë janë parashikuar për përmirësimin e infrastrukturës në mjekësinë ligjore dhe laboratorin e toksikologjisë, për përmirësimin e infrastrukturës së Gjykatës Kushtetuese me vlerë 20 milionë lekë dhe ai Prokurorisë Tiranë si dhe fonde për Arkivën Digjitale për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.