Vendosni fjalën kyçe....

Italia do sjellë deri në 36 mijë emigrantë në vit në Shqipëri, do qëndrojnë në pritje të azilit, asnjë fond shtesë nga Roma


Italia do  ndërtojë në territorin shqiptar dy struktura për akomodimin e emigrantëve, që do qëndrojnë në Shqipëri deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës për azil.

Marrëveshja është nënshkruar mes kryeministres italiane Meloni e atij shqiptar Rama gjatë vizitës së këtij të fundit në vendin fqinj.

Njëra nga strukturat do ndërtohet në Portin e Shëngjinit, që do shërbejë për pritjen e emigrantëve ndërsa tjetra do jetë në Gjadër e do shërbejë për akomodimin e tyre. Strukturat do presin deri në 3 mijë persona ndërsa në vit mund të presin deri në 36 mijë emigrantë.

Të dyja do jenë nën juridiksionin e Italisë ndërsa Shqipëria do ndihmojë me sigurinë.

Sipas Melonit, marrëveshja e nënshkruar tregon për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe se ngritja e strukturave do i japë një ndihmë të rëndësishme Italisë për përballimin e rrjedhës së emigrantëve të paligjshme.

“Një muaj më parë në një takim që kemi bërë, kemi pasur edhe iniciativa në lidhje ndërmarrjen e hapave të përbashkëta, sa i përket migrimit. Sepse sidomos fenomeni nuk përballohet vetëm dhe kemi qenë në këtë ekuacion midis trajtimit brenda BE dhe jashtë BE. Dhe gjeja më e mirë për t’u bërë ka qenë pikërisht ky forcim i bashkëpunimit dhe kemi punuar së bashku për të përforcuar këtë marrëveshje dhe këtë bashkëpunim, i cili fikson tre objektiva: luftën kundër trafikut të paligjshëm dhe jo vetëm pritjes të refugjatëve për ata që kanë rekuizitën dhe Shqipëria do të japë mbështetjen e saj për të përdorur disa zona të vendit të Shqipërisë.” – tha Meloni.

Sipas shefes së qeverisë italiane, strukturat pritet të jenë funksionale pranverën e ardhshme.

“Dhe refugjatët, ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore dhe do të seleksionohen midis atyre që kanë të drejtë dhe jo. Si për numër popullsie refugjatesh kemi një kapiencë 3000 persona sipas një regjimi të caktuar. Flasim nëpërmjet flukseve dhe ky fluks në vit mund të arrijë deri në 36 mijë persona dhe që mund të alternohet si më pak ose më shumë dhe kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatëzanë dhe grupet e tjera vulnerabël. Juridiksioni i këtyre qendrave do të jetë italiane. Në portin e Shëngjinit, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të seleksionimit, do të realizohet një qendër e pritjes dhe të screening dhe do të ketë një strukturë tjetër që janë në vazhdimësi të kësaj strukturës së parë  të parë të screening. Pastaj pjesa shqiptare do të merret me gatishmërinë e observimit dhe ky protokoll që firmosim sot ka një kornizë politike dhe juridike të bashkëpunimit tonë. Pastaj marrëveshje të tjera do të ndjekin më pas. Në lidhje me këtë lloj bashkëpunimi, kemi qellim që të jetë operative në pranverën e ardhshme.” – shtoi Meloni.

Rama nga ana e tij tha se Shqipëria nuk do e bënte një marrëveshje të tillë me asnjë vend tjetër të BE-së po ndaj Italisë ka borxhe e ka një raport të veçantë mes dy popujve.

“Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin, por ka një lidhje mes Shqipërisë e Italisë dhe shqiptarëve e italianëve. Nuk besoj që do jemi në gjëndje që në vitet që do vijnë të paguajmë borxhin që kemi drejt Italisë, popullit dhe institucioneve të saj për atë që kanë bërë për ne nga dita që kemi arritur në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje. Në këtë rast do të thotë për të ndihmuar dhe menaxhuar një situatë që është e vështirë për Italinë. E vërteta është që nga gjeografia është kthyer në mallkim. Shqipëria ka një histori të mikriptjes. Është një vend ku mijëra italianë, kanë gjetur mbrojtje nga shqiptarët.” – tha Rama.