Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti në një takim, një delegacion të nivelit të lartë nga Mbretëria e Arabisë Saudite, me të cilin u biseduan çështje të bashkëpunimit në fusha që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, ekstremizmin e dhunshëm, përfshirë krimet kibernetike.
Ministri Balla trajtoi edhe çështje të bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve si dhe për mundësitë e mbështetjes për zhvillimin e kapaciteteve tona të Policisë së Shtetit.
Pas takimit të zhvilluar, ministri shkruan në rrjetet sociale ku thekson se intensifikimi i marrëdhënieve midis dy vendeve tona ka sjellë një bashkëpunim më të ngushtë midis agjencive tona ligjzbatuese, e dëshmuar edhe me vizitën e delegacionit të sigurisë nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
“Diskutuam mbi mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit, përfshi krimet kibernetike, terrorizmin apo dhe ekstremizmin e dhunshëm në funksion të rritjes së sigurisë në vendet dhe rajonet tona.
Mbështetja e Arabisë Saudite në zhvillimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit me ekspertizën dhe teknologjinë përkatëse, ishte në fokus të takimit me përfaqësuesit në fushën e sigurisë të Mbretërisë së Arabisë Saudite”, nënvizon Balla.