Vendosni fjalën kyçe....

Kopshti i fëmijëve “Anne Frank” në Gjermani diskuton ndryshimin e emrit


Kërkesa për ndryshimin e emrit të një kopshti me emrin “Anne Frank” ka ngjallur polemika në Gjermani.

Kompleksi ndodhet në qytetin e vogël të Tangerhütten, në rajonin Saksoni-Anhalt dhe u emërua në vitet 1970 pasi Anne Frank u deportua dhe më pas u vra në kampin e përqendrimit Bergen Belsen në vitin 1945, shkruan Politico.eu.

Të gjithë udhëheqësit e grupeve të disa partive në bashkinë e qytetit po përgatisin një fletë qëndrimi për të refuzuar riemërtimin e kopshtit.

Heqja e referencës për vajzën hebreje, e cila u bë simbol i Shoah-ut për shkak të ditarit të saj, ishte propozuar në fillim të këtij viti, shumë përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Siç raporton Frankfuerter Allgemeine, këshilli i prindërve dhe punonjësve kishte kërkuar që të gjendej një emër më “i përshtatshëm për fëmijët”, për kopshtin që pritet të quhet Eksploruesit e Botës.

Drejtori i kopshtit i tha gazetës Magdeburger Volksstimme se historia e Anne Frank është e vështirë për t’u kuptuar nga fëmijët e vegjël.

Për më tepër, prindërit me prejardhje emigrante shpesh nuk dinë se çfarë të mendojnë për emrin e kopshtit. Për kryebashkiakun Andreas Brohm, ndryshimi duhet të çojë në një “hapje më të madhe ndaj botës” nga ana e strukturës. Ekzekutivi shtoi se ngjarjet aktuale politike në Lindjen e Mesme nuk janë të lidhura me këtë vendim.