Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja e Ramës me Melonin për emigrantët ngjall reagime edhe në mediat greke



Mediat elektronike greke I kanë kushtuar një  vend marrëveshjes Shqipëri-Itali për një kamp refugjatësh në portin e Shëngjinit me kapacitet 36.000 persona.

Media greke i referohet marrëveshjes me detajet që janë bërë publike në median shqiptare e italiane, pa komentuar apo paralelizuar situatat me atë të ishujve të Greqisë, që është gjithashtu vend pritës i një shifre tepër të lartë refugjatësh.

Në artikuj përfshihen deklaratat e kryeministrave të dy vendeve si dhe pak detaje se si do të veprohet me refugjatët, ndërkohë që “Efimerida ton Sintakton” një gazetë e majtë në një artikull të dytë i referohet medias italiane, ku marrëveshja konsiderohet si “një pakt monstruoz”, që shkel të gjitha strukturat ligjore ekzistente dhe se kriteret me të cilat do të bëhet përzgjedhja e refugjatëve në anije nuk mund të sigurojë principet bazë, duke ngritur pyetjet se “kush do të bëhet gjykatësi, në çdo rast, si do ndahen refugjatët nga vende të ndryshme” e të tjera.

Gjithashtu, ngrihen pikëpyetje për statusin e azilantit refugjat në një vend të tretë, pasi Shqipëria nuk është anëtare e BE-së. Media greke thekson se marrëveshja ka ngjallur mjaft reagime në median shqiptare dhe se përbën temë të parë në vend.

Së fundi, media greke referohet dhe në komentin e një përfaqësuesi të KE, si reagimi i parë rreth marrëveshjes, ku theksohet se “Komisioni Evropian është në dijeni të marrëveshjes. Është e rëndësishme që çdo marrëveshje e këtij lloji të respektojë rregullat e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare”.