Vendosni fjalën kyçe....

G7 kërkon pauzë humanitare në Gaza dhe lirim të pengjeve


Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) bënë thirrje për pauzë humanitare në luftën Izrael-Hamas në mënyrë që të lejohet dërgimi i ndihmës dhe të ndihmohet procesi i lirimit të pengjeve.

Pas takimit dyditor në Tokio, përderisa forcat izraelite vazhduan të sulmonin Rripin e Gazës, G7 përmes një deklarate të përbashkët tha se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten. Por, ministrat po ashtu theksuan nevojën për mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Anëtarët e G7-s janë të përgatitur për një zgjidhje afatgjatë në Gazë dhe kthimin në një proces më të gjerë të paqes për konfliktin izraelito-palestinez “në linjë me parametrat e dakorduara ndërkombëtarisht”, u tha në deklaratë.

Ministrat thanë se ndajnë mendimin se “zgjidhja me dy shteteve vazhdon të jetë mënyra e vetme për një paqe të drejtë, afatgjatë dhe të sigurt”.

Kjo është deklarata e dytë që G7 ka lëshuar që kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.400 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë, sulm që nxiti luftën.

Që atëherë, Izraeli ka bombarduar Gazën duke vrarë mbi 10.000 palestinezë, 40 për qind e tyre fëmijë, sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, tha për gazetarët ministri i Jashtëm japonez, Yoko Kamikawa.

I pyetur nëse të gjithë anëtarët e G7-s kanë bërë thirrje për pauzë humanitare apo nëse disa ishin në favor të një armëpushimi të plotë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se deklarata e përbashkët reflekton në mënyrë të drejtë diskutimet e bëra, duke shtuar se ka pasur “unitet të vërtetë” në G7.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli mund ta shqyrtojë mundësinë e “pauzave të shkurta taktike”, por ai ka refuzuar kërkesat për armëpushim, duke thënë se një armëpushim do t’i lejonte Hamasit që të rigrupohej.

Në deklaratë po ashtu G7 përsëriti mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, theksoi nevojën për një angazhim të sinqertë me Kinën dhe dënoi testet e raketave nga Koreja e Veriut dhe dërgimin e armëve në Rusi.

Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia. Po ashtu, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë marrë pjesë në takim.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL