Anija e marinës italiane Vulcano, e pajisur me instrumente spitalore dhe dhoma operative, është vendosur në Lindjen e Mesme për të pritur dhe trajtuar të plagosurit nga Gaza, tha të mërkurën ministri i mbrojtjes italiane.
Guido Crosetto tha se anija spitalore fillimisht do të shkojë në ishullin e Qipros dhe më pas sa më afër që të jetë e mundur në zonën e konfliktit izraelito-palestinez për të ofruar mbështetje mjekësore urgjente për popullatën palestineze.
Anija u nis të mërkurën nga porti italian i Civitavecchia me 170 staf në bord, përfshirë 30 persona të trajnuar për urgjencat mjekësore, raporton AA.
“Ne jemi të parët që kryejmë një operacion humanitar në atë zonë dhe shpresojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin shembullin”, tha ministri italian.
Crosetto shtoi se qeveria po punon gjithashtu për sigurimin e një spitali fushor që do të dërgohet “drejtpërdrejt në Gaza në marrëveshje me palestinezët”.
Në fund të muajit të kaluar, Italia dërgoi dy grupe ndihash humanitare në Egjipt për t’i shpërndarë përmes Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane popullatës civile të vuajtur në Gaza.
Ministrat e Jashtëm nga vendet e G-7, ku përfshihet Italia, kanë bërë thirrje për pauza humanitare në konfliktin e Gazës, i cili filloi më 7 tetor, për të lejuar ndihmën dhe për të ndihmuar lirimin e pengjeve.