Komisionerët Publikë morën sot rekomandim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të ankimuar vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores Suela Salavaçi.
Institucioni i Komisionerëve Publikë përmes një njoftimi për mediat bëri të ditur se, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur rekomandimin për të ankimuar vendimin e KPK për prokuroren Salavaçi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
“Në datën 28.9.2023, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Suela Salavaçi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë. Vendimi nr. i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 8.11.2023.
Po sot, më datë 8.11.2023, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”, njofton zyra e shtypit e Komisionerit Publik.
“Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, njofton Komisioneri Publik.
Komisioneri Publik sqaron se ky institucion ka kohë deri në 15 ditë për shqyrtuar propozimin e Operacionit Ndërkombëtarë të Monitorimit dhe për të depozituar eventualisht ankimimin pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Në dokumentin e depozituar nga ONM pranë Komisionerit Publik kërkohet rivlerësimi i kriterit të pasurisë së prokurores Salavaçi.
Një kriter i evidentuar dhe debatuar edhe gjatë diskutimeve në Komisionin e Pavarur të kualifikimit. Dokumenti: Rekomandim-për-vendimin-e-KPK-së-nr.703-datë-28.9.2023
Suela Salavaçi, prokurore në Prokurorinë e Tiranës u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 28/09/2023. Në seancën e 26 shtatorit, togat e zeza vlerësuan pozitivisht kriterin e pastërtisë së figurës, teksa kërkuan shpjegime mbi kriterin profesional dhe atë të pasurisë.
Te kriteri i pasurisë trupa gjykuese u ndal më së shumti, ku Salavaçi për rreth tri orë u desh të shpjegonte pozicionin e saj për të rrëzuar disa nga gjetjet të publikuara në dokumentacionin e saj mbi pasurinë e akumuluar prej prokurores dhe familjes së saj.