Vendosni fjalën kyçe....

Një dorë për anëtarësim në BE?! Si ka votuar Italia në momente kritike


Nënshkrimi i protokollit për ngritjen e dy qendrave të trajtimit të emigrantëve në Shqipëri nga Italia u trajtua përtej Adriatikut si ura që do bashkojë Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Por a është vërtet kjo marrëveshje kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?

Ndër vite Italia përveçse partneri kryesor në ekonomi por edhe si një nga vendet me më shumë emigrantë shqiptarë pas rënies së komunizmit ka pasur marrëdhënie shumë pozitive me Shqipërinë.

Mbështetja e Italisë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE ka qenë e rëndësishme dhe asnjëherë penguese.

Qeveritë që ndërrohen shpesh në Itali nuk e kanë kursyer mbështetjen për Shqipërinë në BE.

Edhe kryeministrja e tanishme, Xhorxhia Meloni e ka shprehur hapur mbështetjen për vendin tonë. “Shqipëria është kandidate për hyrjen në BE, por Shqipëria sillet, ka një qasje sikur të jetë faktikisht vend i BE”-tha Meloni më 6 nëntor 2023 teksa nënshkruante protokollin për trajtimin e emigrantëve.

Nuk dihet sa do ngjisë në publik justifikimi për të marrë emigrantë me tezën se do na mbështesë për t’u anëtarësuar në BE  pasi me sa duket s’ka qenë kurrë në dyshim.

Ndryshe nga fqinjët e tjerë, si Greqia apo vende akoma më të mëdha, për Italinë asnjëherë nuk ka përbërë problem ecuria e brendshme në Shqipëri për të dhënë mbështetjen me votë për anëtarësim në BE.