Vendosni fjalën kyçe....

Pakti Rama-Meloni për emigrantët, Varhely: Po e analizojmë, model interesant


Komisioneri per Zgjerimin, Oliver Varhely u përgjigjet eurodeputetëve italianë në Komisionin e Jashtëm të PE për marrëveshjen e emigrantëve Itali-Shqipëri.

Ai është shprehur se po e analizojnë si rast pasi ju duket një model interesant. Ai shton se çdo lloj bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë për sigurinë për Europën duhet vlerësuar dhe se janë të gatshëm të kontribuojmë.

“Po analizojmë marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e flukseve migratore, është një model interesant. Tashmë ka një bashkëpunim të mirë të sigurisë mes Shqipërisë dhe Italisë, për shembull përpjekjet e mëdha të Policisë Financiare në vitet 2020 dhe 2021 që ndryshuan realitetin në terren. Kështu që unë besoj se çdo lloj bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë për sigurinë për Europën duhet vlerësuar dhe ne jemi të gatshëm të kontribuojmë”- tha ai.

Ditën e djeshme u publikua marrëveshja e plotë mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për emigrantët.

Në këtë marr veshje përcakohet se shteti fqinj do të marr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Në nenin 4 theksohet se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e emigrantëve. Kufiri maksimal i pritjes së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Në dokumentin e firmosur zyrtarisht nga Rama dhe Meloni të hënën në Romë përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes, pra jo më shumë se 45 ditë.

Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet. Me përjashtim të rasteve kur njëra nga palët i komunikon me paralajmërim të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll, ky i fundit do të rinovohet në formë të heshtur për një periudhë tjetër 5-vjeçare.