Vendosni fjalën kyçe....

Përroi përmbyt banesa në Rrëshen, kryebashkiaku kërkon ndihmën e qeverisë


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme në zonën e Rrëshenit.

Dalja e përroit të Zmejës ka pushtoi toka, rrugë dhe banesa.

Familjes Ndoj në periferi të Rrëshenit, banesa iu mbush me ujë dhe inerte nga përroi.

“Në orën 05:00 sa u ngrita me ik për shpi, na hyri uji brenda. Jemi në gjendje të vështirë, s’kemi ku flemë sonte. C çdo gjë është prishur, mobilet, orenditë. Burrin e kam sakat (invalid) vetëm unë punoj. S’mundem ta rregulloj shtëpinë”, tha Marte Ndoj, për Report TV.

Po kështu në fshatin Tarazh, banorët pësuan dëme, kryesisht në orenditë shtëpiake, bujqësi dhe blegtori.

“Të mbjellat janë dëmtuar të gjitha, kam 1 ha grurë, na është dëmtuar komplet. Kishte ndodh por jo kaq, ura është përmbytur disa herë. Kemi problem rrugën, na ka lënë mbetje, fëmijët i kemi pa shkollë.

Dëme boll, sidomos nga e blegtorisë, perimeve, kam një dyqan të vogël, na ka hy uji komplet. Dëme njerëz nuk ka, kjo ka rëndësi, unë jam emigrant ka vite. Ka pas por jo kaq shumë. Ura nuk rregullohet më”, shprehen qytetarët.

Kryebashkiaku i Mirdites Albert Mëlyshi kërkon mbështetjen e qeverisë për të riparuar rrugët e urat e shkatërruara.

“Dëmet e shkaktuara nga moti i keq janë të shumta, sidomos për rrugët dhe urat kërkojnë ndihmën, mbështetjen financiare të qeverisë për ti riparuar”.

Rënia e gurëve dhe inerteve solli bllokimin për disa orë të rrugës nacionale Skuraj-Burrel.