Është zbardhur progress raporti i KE-së për Shqipërinë për vitin 2023. Në raportin me 144 faqe thuhet se vendi po ecën përpara për sa i përket integrimit evropian ndërsa vlerësohet edhe ecuria e sistemit të drejtësisë.
Raporti nënvizon se klima politike në Shqipëri është shumë e polarizuar teksa i kushtohet rëndësi edhe ekonomisë, që ssipas raportit e përballoi si duhet krizën pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Shqipëria ka një nivel të moderuar përgatitjeje për funksionimin e gjyqësorit. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdoi, duke çuar në një progres të mirë në përgjithësi. Emërimet në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar me të nëntë gjyqtarët, nga të cilët tetë me mandat të plotë nëntëvjeçar. Struktura e Specializuar kundër Korrupsioni dhe Krimi i Organizuar (SPAK) arriti rezultate të mëtejshme dhe një drejtues i ri i Prokurorisë Speciale u zgjodh në dhjetor 2022 pas një procesi të shëndoshë. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja te drejtësia vijuan të ndikohen nga periudha e gjatë kohore e procedurave, rritja e ngarkesës së punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, që mbetet veçanërisht i lartë në apel dhe gjykatat e shkallës së parë.” – thuhet në raport.
Më tej raporti bën thirrje për nisje të procedurave penale ndaj gjyqtarëve e prokurorëve te të cilët procesi i vetingut zbuloi elementë kriminalë.
Lidhur me klimën politike vihet re se ka polarizim të skajshëm ndërsa zgjedhjet e 14 majit i cilësuan si të mirëadministruara. Gjithashtu raporti vëren se mbikëqyrja parlamentar ndaj qeverisë është e kufizuar.
“Vëzhguesit i vlerësuan ato si të mirëadministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë. Shqetësimet kanë të bëjnë me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, dhe pretendimet për blerje votash. Skena politike vazhdoi të shënohej nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare. Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar.” – thuhet në raport.
Lidhur me reformën zgjedhur, raporti thotë se ajo ka ngecur dhe nuk është bërë asnjë përparim për sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it e Komisionit të Venecias.
Raporti u kërkon autoriteteve shqiptare më shumë goditje kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
“Pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë një numër dënimesh të nivelit të lartë dhe hetime financiare në nivel të lartë, sërish mbetet një fushë me shqetësim serioz. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat për parandalimin e tij vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerable.”
Vëmendje i kushtohet edhe hetimeve mbi akuzat për abuzime me fondet e IPARD në bujqësi duke i kërkuar Shqipërië të bashkëpunojë më shumë me hetimet.
“Shqipëria duhet të përmirësojë bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet. Në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. Megjithëse bashkëpunimi për hetimet është përmirësuar, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj në zhvillimin e një historie solide në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, asistencë efektive operacionale për hetuesit nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) në mënyrë që ata të mund të delegojnë plotësisht detyra e tyre në kryerjen e një kontrolli në vend në përputhje me Rregulloren e BE-së.” – thotë raporti.