Në vijim të verifikimit për veprimet apo mosveprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, lidhur me hetimet për rastin e të miturës tek Kopështi ‘Stinët’ në Tiranë, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë (AMP) ka referuar për vlerësim në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, materialet procedurale në ngarkim të dy punonjësve të Komisariatit Nr. 1, për “Shpërdorim detyre”.
Të proceduar janë oficerët:
– Nënkomisar Y. Ç., me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Krimeve;
– Nënkomisar B.R., specialist për Hetimin e Krimeve, në këtë Komisariat.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera pas denoncimit në Polici dhe publikimit në emisionin investigativ “Stop”, ka dyshime se punonjësit e Policisë nuk kanë kryer veprime të plota hetimore për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kryer keqtrajtimin e të miturës në ambientet e kopshtit “Stinët” në datë 1 nëntor.
Ndërkohë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra dhe ka nisur hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për 3 oficerë policie.