Forcat amerikane ishin shënjestër e tri sulmeve në Irak më 9 nëntor, por nga sulmet nuk ka viktima. Kështu thanë burime të sigurisë për agjencinë Reuters. Këto ishin sulmet më të mëdha brenda një dite ndaj aseteve amerikane, që kur ka nisur lufta midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.
Një patrullë e përbashkët e forcave amerikane dhe shërbimeve kundër terrorit të Irakut u shënjestruan nga një mjet shpërthyes afër qytetit verior të Mosulit, duke shkaktuar dëme në makinën patrulluese, por pa shkaktuar viktima, thanë dy burime të sigurisë. Një zyrtar i ushtrisë amerikane konfirmoi se autokolona e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja hasi në një pajisje të improvizuar me eksplozivë që shpërtheu afër Digës së Mosulit, por tha se nuk është raportuar për viktima. Ndaras, një zyrtar tjetër amerikan që foli në kushte anonimiteti, tha se në 24 orët e fundit kanë ndodhur katër sulme ndaj trupave amerikane në Irak dhe Siri. Ky zyrtar tha se tre ushtarë amerikanë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe ata tashmë janë kthyer në detyrë.
Dronët kanë shënjestruar bazat ajrore al-Harir në Arbil dhe Ain al-Asad në perëndim të Bagdadit. Në këto dy baza ajrore janë të vendosur trupat amerikane dhe forcat ndërkombëtare. Dronët janë rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe nuk është raportuar për viktima, thanë burimet për Reuters. Në një deklaratë të shërbimit kundër terrorit të Kurdistanit të Irakut – që dallon nga shërbimet federale irakiane u tha se sulmet me dronë në bazën al-Harir kanë shkaktuar zjarr në disa depo të karburanteve. Në deklaratë u shtua se forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja ishin evakuuar nga baza që nga 20 tetori.