Vendosni fjalën kyçe....

Garda iu përgjigjet gazetarëve të politikës: Kërkojmë mirëkuptimin e medias, qëllimi ishte shmangia e incidenteve


Garda e Republikës është përgjigjur ndaj komunitetit të reporterëve të politikës, ku këta të fundit përmes një letre drejtuar kompetentëve, kërkuan marrjen e masave për mospengimin e gazetarëve në punën e tyre.

Në përgjigjen e saj, Garda ka kërkuar mirëkuptim nga ana e mediave, duke theksuar se qëllimi i tyre ishte shmangia e incidenteve.

“Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.

Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.

Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare.”-shkruan garda.