Komuniteti i Reporterëve të Politikës, i janë drejtuar sot me një letër zyrtare kryetares së Kuvendit Lindita Nikollës, Ministrit të Brendshëm Taulant Ballës dhe drejtorit të Përgjithshëm të Gardës Gramos Sakos.
Arsyeja e kësaj letre ështe se gazetarët e politikës kanë hasur vështirësi të shumta, sidomos kohët e fundit, në lidhje me ushtrimin e detyrës së tyre gjatë seancave plenare dhe komisioneve parlamentare.
Sipas këtij komuniteti, punonjësit e Gardës angazhohen për të dhënë urdhra arbitrarë ndaj punonjësve të medias, duke mos lejuar lirshëm kryerjen e xhirimeve, raportime apo intervistave.
Letra
Tiranë, më / /2023
Lënda: Kërkesë për ndërhyrje në normalizimin e sjelljes së shërbimit të Gardës së Republikës në Kuvendin e Shqipërisë ndaj medias
Drejtuar:
Znj. Lindita NIKOLLA – Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
- Taulant BALLA – Ministër i Brendshëm
- Gramos SAKO – Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës
Në vëmendje të:
Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Delegacionit të Bashkimit Evropian
Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar
Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe
Bashkëpunim në Europë, OSBE
Të nderuar,
Duke ju uruar punë të mbarë, ne, Komuniteti i Reporterëve të Politikës, kërkojmë të ndajmë me ju një problematikë të hasur prej kohësh, por që së fundmi, është bërë edhe më shqetësuese dhe ka vështirësuar ushtrimin e rolit tonë gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare.
Ne kemi vënë re një shtim të numrit të punonjësve të Gardës që monitorojnë oborrin e godinës ku zhvillohen seancat plenare, të cilët:
-Angazhohen për të dhënë urdhra arbitrarë ndaj punonjësve të medias, duke mos na lejuar lirshëm të bëjmë xhirime, raportime apo intervista, akte këto në kundërshtim me rregulloren e masmedias që ka Kuvendi i Shqipërisë dhe këtë e bëjnë duke ushtruar edhe forcën fizike ndaj gazetarëve dhe operatorëve.
-Punonjës të ndryshëm të Gardës kanë mendime të ndryshme për vendin ku duhet të rrinë gazetarët dhe kameramanët, duke urdhëruar zhvendosje të pajustifikuara.
-Pengojnë gazetarët të marrin prononcime lirshëm dhe në lëvizje në pjesën e jashtme të godinës.
-Pengohet hyrja në kohë e gazetarëve në Komisionet Parlamentare, duke mos na lejuar të dokumentojmë ngjarjet, qoftë këtu edhe dështimin e komisioneve apo aksionet në korridoret e Kuvendit.
Të gjitha këto, krijojnë konflikte dhe tensione të panevojshme gjatë thuajse çdo seance plenare apo të punimeve të komisioneve për të cilat vazhdimisht është vënë në dijeni zyra e shtypit e Kuvendit.
Për sa më sipër, për të shmangur keqkuptimet e mëtejshme, lutemi ndërhyrjen nga ana Juaj, për qartësimin e punonjësve të Gardës dhe të funksionarëve të Kuvendit të Shqipërisë që të garantojnë sigurinë e gjithsecilit pa cënuar punën e medias.
Ne, punonjësit e medias, hyjmë vetëm nga porta kryesore dhe i nënshtrohemi kontrollit fizik dhe automjetet edhe kontrollit të specializuar me qen.
Është fakt se në asnjë rast, nuk është krijuar ndonjë problem nga punonjësit e medias të cilët të kenë rrezikuar sigurinë e ligjvënësve.
Ndaj, në përfundim, kërkojmë:
-Lejimin e çdo operatori mediatik të qëndrojë/lëvizë lirshëm pa asnjë kufizim në të gjitha ambientet e jashtme të oborrit të godinës ku zhvillohen seancat plenare.
-Lejimin e gazetarëve të marrin intervista pa pengesa në pjesën e jashtme të godinës, pa ndërhyrjen e Gardës së Republikës.
-Lejimin e punonjësve të medias të dalin lirshëm nga të gjitha portat e institucionit, duke ruajtur të pandryshueshme hyrjen vetëm nga porta kryesore e kontrollit.
-Të ruhet një gjuhë e përmbajtur dhe jo provokuese nga punonjësit e Gardës, të cilët mund të komunikojnë me gazetarët dhe operatorët vetëm përmes zyrës së shtypit të Kuvendit.
-Të lejohen gazetarët të hyjnë në Kryesinë e Kuvendit 10 minuta përpara orarit zyrtart të njoftuar për zhvillimin e një komisionit, në mënyrë që të dëshmojmë kuorumin, dinamikat dhe arsyet e zhvillimit ose jo të një mbledhjeje të tillë.
Duke shpresuar në bashkëpunimin tuaj, ju faleminderit.
Me respekt,
Punonjësit e medias që ushtrojnë detyrën pranë Kuvendit të Shqipërisë