Vendosni fjalën kyçe....

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit dhe programi bërthamor i Iranit


Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po rriten nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, çështja e programit bërthamor të Iranit mbetet e pazgjidhur. Perëndimi e sheh Teheranin si një mbështetës të madh të Hamasit dhe sulmet e militantëve të këtij grupi ndaj Izraelit kanë dëmtuar përpjekjet për të ulur tensionet me Iranin.

Udhëheqësit perëndimorë e shohin Iranin si një mbështetës të fuqishëm të militantëve të Hamasit, por nuk e kanë akuzuar Teheranin për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.

Para sulmit, marrëdhëniet e vendeve perëndimore me Iranin ishin duke u përmirësuar. Në shtator, Shtetet e Bashkuara arritën një marrëveshje me Iranin për të hequr masën e ngrirjes për një fond iranian prej gjashtë miliardë dollarësh në këmbim të lirimit të pesë të burgosurve amerikanë. Por pas sulmit të Hamasit në Izrael, këto fonde sërish u ngrinë.

“Kishte hapësirë dhe plane për negociata të drejtpërdrejta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nga fundi i tetorit në Oman. Por, tani ato me siguri nuk do të mbahen dhe ndoshta nuk ka më hapësirë politike për një angazhim direkt mes dy vendeve”, thotë Ali Vaez, analist për Iranin i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Bisedimet në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin ngecën vitin e kaluar ndonëse asnjëra palë nuk ka thënë zyrtarisht se ato kanë dështuar.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018 dhe pak më vonë Irani i dha fund angazhimit për zbatimin e saj.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha në raportin e saj të gushtit se Irani po vazhdonte procesin e pasurimit të uraniumit në nivelin 60 për qind, më pak se niveli 90 për qind, që është i nevojshëm për prodhimin e një arme bërthamore, shkruan VOA.  Irani i ka hequr pajisjet e monitorimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe ka bllokuar vizitat e disa inspektorëve në vend.

“Në kuadër të një mase mirëkuptimi për uljen e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Teherani ndërpreu pasurimin e uraniumit në nivelin 60 për qind. Tani kjo mund të ketë ndryshuar për shkak të rritjes së tensioneve mes dy palëve. Iranit do t’i duhej më pak se një javë kohë për të pasuruar uranium të mjaftueshëm për prodhimin e një arme bërthamore. Për këtë arsye kjo çështje është një bombë me sahat dhe në njëfarë mënyre duhet gjetur një zgjidhje për të ndalur aktivitetin bërthamor të Iranit”, thotë analisti Ali Vaez.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi ka thënë se ai nuk sheh një lidhje mes luftës mes Izraelit dhe Hamasit dhe programit bërthamor të Iranit.

“Nuk ka ende prova se Irani po shqyrton mundësinë e moszbatimit të angazhimeve të tij themelore ndaj Traktatit kundër Përhapjes së Armëve Bërthamore, që e ndalon atë të prodhojë armë bërthamore”, thotë Peter Jenkins, ish-ambasador britanik në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Por a mundet ta përdorë Irani programin e tij bërthamor si një mjet kundër perëndimit, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten?

“Mendoj se ata mund ta shqyrtojnë këtë si një mënyrë për të rritur ankthin në vendet perëndimore rreth programit të tyre bërthamor, por jo të shkelin vijën e kuqe, duke i dhënë fund zbatimit të Traktatit kundër Përhapjes së Armëve Bërthamore”, thotë zoti Jenkins.

Ndërkohë Izraeli ka thënë vazhdimisht se nuk do të lejojë Iranin të prodhojë një armë bërthamore.

Izraeli besohet se ka armë bërthamore, por nuk i lejon inspektimet e centraleve të tij bërthamore nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.