Ka ndërruar jetë rreth 24 orë pas lindjes foshnja që u gjet i braktisur në një bodrum pallati në Tiranë. Lajmi i trishtë u bë publik nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Gjithashtu policia ka arrestuar mbrëmjen e djeshme dhe nënën 30 vjeçare Eglantina Isufi, që braktisi femijën në bodrum. Sipas njoftimit nga policia , ajo pretendon se është detyruar të fshehë shtatzëninë për shkak të opinionit publik dhe familjarëve pasi nuk ishte e martuar.
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, shkruan Balla në Facebook.