Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja me Melonin, PD-ja italiane do kërkojë largimin e PS-së së Ramës nga Partitë Socialiste Evropiane


Marrëveshja për ngritjen në Shqipëri të dy kampeve për pritjen e trajtimin e emigrantëve, të firmosur nga kryeministrja italiane Meloni e ai shqiptar Rama ka shkaktuar përplasje të fortë politike në vendin fqinj. Përplasja mes opozitës e qeverisë në Itali mund të ketë asoja të mundshme edhe për PS-në e Ramës, shkruan La Reppubliça.

Partia Demokratike e Italisë mund të kërkojë përjashtimn e PS-së nga grupi i Partive Socialiste Evropiane. Lajmi konfirmohet nga media italiane, e cila citon Peppe Provenzano-n, kreu i punëve të jashtme në sekretariatin e Sekretares së PD-së, Elly Schlein.

“Ne do ta ngremë çështjen në kongresin e PSE-së, i cili do mbahet nesër dhe pasnesër në Malaga, në prani të të gjithë socialistëve të mëdhenj të kontinentit, nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez te kancelari gjerman Olaf Scholz.” – tha Provenzano.

Sipas zyrtarit të PD-së, marrëveshja Meloni-Rama është e diskutueshme dhe shkel ligjin ndërkombëtar si dhe  “vlerat e familjes socialiste”.

Media italiane shkruan se për të kërkuar përjashtimin e PS-së nga grupi i PSE-së (Partisë Socialiste Evropiane) mund të përdoret e njëjta procedurë e miratuar ndaj kryeministrit sllovask Robert Fico. Ai u përjashtua nga PSE në mes të tetorit, as dy javë pas fitores elektorale në Sllovaki.

“Për Ramën, procesi duhet të jetë edhe më i shpejtë, duke qenë se është një vëzhgues i thjeshtë dhe Shqipëria nuk është pjesë e BE-së.” – shton Provenzano.

Për kryeministrin shqiptar, një divorc politik traumatik me familjen e socialistëve të BE-së, një nga dy partitë e mëdha që qeverisin Brukselin, rrezikon të ketë pasoja edhe për kandidaturën e Tiranës për në BE.

Kandidaturë e promovuar nga Rama dhe e mbështetur nga Meloni. Kjo është edhe arsyeja pse kryeministri shqiptar vazhdon të mbrojë marrëveshjen. Pjesërisht për t’u marrë me opozitën e brendshme, e cila dje sulmoi paktin me Italinë, në veçanti ish-kryeministrin Sali Berisha, kreun e PD-së së Tiranës, shkruan La Reppublicca. Sipas Ramës, teksti nuk do ka “asnjë të metë në të drejtën ndërkombëtare”.

“Vendet e tjera evropiane kanë kërkuar marrëveshje të ngjashme në vitet e fundit, por ne thamë jo”, tha Rama dje për Metropolis, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

“Nëse Franca ose një vend tjetër merr emigrantë nga Italia, ku i çon? Në një qendër, për të bërë kontrolle. Pse duhet të jetë ndryshe nëse e njëjta gjë bëhet nga një vend jo anëtar i BE-së, por një vend kandidat? Më pas i takon Italisë të verifikojë dhe të jetë në përputhje me Traktatin e Dublinit.” – citon media italiane, Ramën.

Gjatë një konference për emigrantët në Nazarene dje, Sekretarja e PD-së Elly Schlein argumentoi se marrëveshja me Shqipërinë shkel nenin 10 të Kushtetutës dhe do t’i ngjante “një refuzimi kolektiv”, sepse nuk ka siguri në lidhje me respektimin e garancive ndërkombëtare dhe s’ka qartësi në procedurat e apelimit të emigrantëve.

“Apo qeveria dëshiron të zhvendosë gjykatat në Shqipëri?”

Sipas Schlein, “Meloni bën gjithçka përveç asaj që duhet bërë në Evropë: të ndryshojë Rregulloren e Dublinit, të kërkojë kanale ligjore të hyrjes dhe t’i kërkojë Orbanit të bëjë detyrën e tij.”

E gjithë PD-ja italiane qëndron në këtë linjë, përfshirë edhe krahun reformist. Për nënkryetaren e Parlamentit Europian, Pina Picierno, pakti me Tiranën është i dëmshëm dhe i kushtueshëm, mbyll shkrimin La Reppublicca.

Marrëveshja mes Melonit e Ramës e nënshkruar para pak ditësh në vizitën e kreut të qeverisë shqiptare në Romë parasheh ngritjen në Shëngjin e Gjadër të dy qendrave për pritjen dhe  trajtimin e emigrantëve.

Ajo parashikon trajtimin e deri 36 mijë emigrantëve të kapur në det në vit ndërsa në territorin shqiptar nuk do qëndrojnë njëherazi asnjëherë më shumë se 3 mijë emigratë. Ndërtimi, mirëmbajtja e transporti i emigrantëve janë kosto që do paguhen nga Italia ndërsa Shqipëria do ofrojë vetëm sigurinë.

Ajo që mësohet është se marrëveshja do të zgjasë 5 vjet por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera dhe për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër.

Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre, në rreth 3 hektarë tokë. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë, edhe pse do ketë lëvizje të vazhdueshme të tyre, ardhje dhe largime të reja.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët, ashtu sikurse do ndërtohet nga italianët edhe struktura për akomodimin e personelit shqiptar ndihmës.

Sipas draftit të marrëveshjes së siguruar ekskluzivisht nga Gogo.al, shpenzimet për këtë vendim politik, siç edhe është raportuar deri më tani do të përballohen nga Italia.

Italia do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro (shkarko dokumentin), brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Po kështu Italia merr përsipër 100% të kostos së parashikuar në kontratat përkatëse të blerjes së pajisjeve mjekësore dhe barnave, përfshirë vaksinat, për të cilat Shqipëria dokumenton përdorimin si dhe 100% të kostos së blerjes, të aprovuar më parë nga autoritetet italiane, të artikujve dhe shërbimeve të ndryshme.

Marrëveshja është kritikuar edhe nga opozita shqiptare që ka kërkuar interpelancë me kreun e qeverisë mni marrëveshjen duke theksuar se ajo është bërë në fshehtësi dhe pa u diskutuar me partisë politike e publikun shqitar.

Vetë kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë Italinë për problemin në fjalë duke përmendur ndihmën e madhe që Italia u ka dhënë emigrantëve shqiptarë që u larguan nga vendi në vitet ’90.